Alqi Bllako nuk e priti mbledhjen e Këshillit të Mandateve, por dorëzoi mandatin e deputetit dy orë para mbledhjes. Këtë veprim të tij, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ka cilësuar si një pranim të gjykimit të shkurtuar nga Bllako.
Kryemadhi tha se çështja e inceneratorëve ka vënë në provë SPAK-un, por arrestimet e deritanishme, sipas saj, nuk tregojnë asgjë.
“Procesi i dorëzimit të mandatit ishte një “gjykim i shkurtuar” nga vetë Bllako, sepse në hyrjen e një komisioni të verifikimit të mandateve do të shtoheshin akuzat. Unë do të merresha me Veliajn, me Ramën dhe jo me Bllakon, nëse do të kishte debat.
Megjithatë, rasti Bllako dhe Koka duhet të ishin bërë më parë. Sa herë Rama dhe qeveria janë në vështirësi i hedhin një “kockë” opinionit publik. Çështja e Bllakos dhe arrestimet e tjera, po të ishin kaq serioze, gjëja e parë do të ishte arrestimi i Zotos, i Mërtirit, Gugallja.
SPAK dhe reforma në drejtësi janë në provë. Vërtet mund të arrestosh Bllakon, por ai është një instrument i flakur nga Rama, ndërsa inceneratorët vijojnë të paguhen, të marrin para nga buxheti i shtetit”, tha Kryemadhi në A2CNN.
Mardhënia me Bashën
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, tha se Lulzim Basha ka marrë para që të mos garojë në zgjedhjet vendore të vitit 2019. E gjithë opozita vendosi asokohe të mos merrte pjesë në zgjedhje, edhe LSI, ndërsa më parë kishin djegur edhe mandatet në Parlament.
Duke paralajmëruar bashkëpunim me PD, tashmë që drejtimin e saj e ka marrë Komisioni i Rithemelimit dhe Sali Berisha, Kryemadhi tha se gabimet e bashkëpunimit me Bashën nuk do të përsëriteshin.
“E para ishte pranimi i vendimeve flagrante që Basha i bënte frontit opozitar, duke filluar nga djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve lokale. Unë personalisht do ta digjja në shenjë solidariteti, por grupi parlamentar u ngrit dhe tha se “do të na zënë njerëzit me gurë”. Presidenti ka qenë historikisht kundër djegies së mandatave. Madje më ka thënë “mos kujto se Asadit shqiptar do t’i vijë keq”, për Edi Ramën. “Dhe mos kujto se Brukseli ka hall shumë të madh demokracinë që po shkel Edi Rama aty”. Gabimi tjetër që ne bëmë, ishte bojkotimi i zgjedhjeve. Sa është paguar lideri i opozitës për të mos hyrë në zgjedhje lokale? Unë mendoj që po. Mjafton të zbardhen llogaritë financiare të familjarëve të tyre dhe fondacioneve bamirëse që janë në Holandë”, tha Kryemadhi.
Monika Kryemadhi akuzoi Lulzim Bashën dhe mbështetësit e tij se kanë përdorur pozicionin politik për t’u vendosur gjoba bizneseve.
“Nuk mendoj që është garë, por kontributet duken, tek ajo që ngjit në opinionin publik. Të vetmen gjë që unë gjykoj te PD e rithemelimit, që për mua kanë qenë bashkëpunëtorë”, tha kryetarja e LSI në Debat nga Alba Alishani, në A2 CNN, e pyetur nëse partia e saj i ka prirë akuzave për inceneratorët. “Politikisht të gjithë kemi folur, edhe mediatikisht. Problemi është kush merr përsipër për të vendosur firmën dhe për të bërë padi me fytyrën dhe emrin e tij. Është e thjeshtë të dalësh duke folur, për të vendosur një gjobë e pas tri ditësh të mbyllësh gojën. Tash, duket shumë qartë që selia e bravës ka qenë mjeshtre për të vendosur gjoba ndaj biznesit”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi akuzoi gjithashtu kryetaren e komisionit hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku, se ka punuar për ta mbyllur çështjen. “Belind Këlliçi nuk u njoh kurrë me raportin e inceneratorëve, edhe pse ishte anëtar i komisionit. Sepse raporti i zonjës Tabaku ishte për t’i vënë kapak historisë së inceneratorëve e për ta lënë deri te Lefter Koka. Zonja Tabaku me sa duket ka marrë sëmundjen e ish-kryetarit të saj, ose kryetarit që e ka akoma, Lulzim Basha, duke gënjyer. Tabaku i ka çuar një letër zotit Vasili përmes Genc Gjonçajt. Ndërkohë që Vasili i ka çuar letër Bashës që LSI duhet të jetë pjesë e komisionit. Zonja Tabaku ka vendosur veton për mospranimin e LSI në komision. Kishte hall se mos LSI i merrte lidershipin e komisionit. Rama përballë Tabakut nuk e kishte problem, qëndroi edhe 10 orë…”, tha Kryemadhi.
Teksa foli për inceneratorët, Kryemadhi u shpreh se Klodian Zoto ka fituar 16 milionë euro me një kompani të hapur vetëm për administrimin e mbetjeve. Sipas Kryemadhit, këto para kanë shkuar në kompani “offshore” në Maltë.
“Një kompani, e cila është e licencuar dhe e hapur vetëm për administrimin e mbetjeve ka fituar 16 milionë euro, para që kanë shkuar në “offshore”. Kjo kompani është në Maltë. Paratë i kanë shkuar Klodian Zotos dhe ai i ka çuar në Maltë.
Ne tani po zbardhim të gjithë skemën sepse i ke marrë këto 16 milionë euro, por çfarë ke bërë me këto para. Një pjesë e tyre kanë shkuar për zgjedhje. Koka i ka marrë paratë dhe i ka hedhur në zgjedhjen e 25 prillit në Durrës”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, zbuloi të ardhmen në politikë të Ilir Metës, bashkëshortit të saj, pas përfundimit të mandatit të Presidentit, më 24 korrik.
Në A2 CNN, Kryemadhi zbuloi se Ilir Meta do të jetë ideator i një lëvizjeje të re politike.
“LSI është shumë e vogël për Metën, është një kostum që i rri pak ngushtë. Meta mund të jetë ideatori i një lëvizje të re, e cila rikthen jo vetëm identitetin kombëtar dhe integritetin tonë, por mendoj se do të jetë një iniciativë. Na pëlqen apo jo, ai është politikani i vetëm që Monika Kryemadhi dhe Basha e përballëm 3 herë me togat e pushkatimit, për gabimet e Bashës dhe keqdashjet e Bashës”.
Formula e re Ilir Meta, PD dhe LSI?
“Edhe shumë të tjerë, jam e bindur. Meta bashkon shumë grupe. Në manifestimin e 2 marsit të gjithë janë shokuar. Në 10 ditë ai pati rreth 50 mijë qytetarë të Tiranës, jo të Shqipërisë”, tha Kryemadhi.