Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, u shpreh se Kuvendi Kombëtar është ai i 18 dhjetorit.
Gjatë fjalës së tij Bardhi deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha ka përdorur retorikë përçarëse.
“Mes të shkuarës dhe të ardhmes anëtarët e Kuvendit Kombëtar të PD kanë zgjedhur të ardhmen e PD, kanë zgjedhur interesin e PD dhe jo interesin personal të zotit Berisha”, tha ai.
Po ashtu Bardhi në komunikimin e tij theksoi se çdo kryetar degë që është angazhuar është i pranishëm në datë 18 ndërsa e cilësoi 11 dhjetorin një tubim.
“11 kryetarë të degës nuk kanë pranuar që të jenë pjesë e procesit të 18 dhjetorit. Të gjithë ata që nuk kanë kryer përgjegjësitë, si sekretar kam nisur përgatitjen e një raporti dhe shumë shpejt do të mblidhet Kryesia për të parë veprimet e mëtejshme”, tha ai.
I pyetur nëse do të këtë një Komision të formuar për 11 dhjetorin, Bardhi tha se nuk ka dëgjuar për një deklaratë të tillë. Ndërsa më tej theksoi se selia e PD është pronë e demokratëve dhe se në asnjë moment, PD nuk do të lejojë të ketë përçarje mes tyre.
“Nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë dhe nuk e kuptoj. Selia e PD është pronë e demokratëve dhe asnjë demokrat nuk është përjashtuar për të qenë në seli. Çdo anëtar i PD është i ftuar të vizitojë selinë qendrore. Deklarata të papërgjegjshme të një njeriu , zëdhënësja e foltores, që flet në emër të demokratëve ndërkohë që nuk përfaqëson asnjë demokrat sepse s’ka bërë asnjë betejë, s’mund të na tregojë apo të mësojë se çfarë të bëjnë demokratët. Ne kemi vetëm një betejë, me Edi Ramën. Përgjegjësia jonë është që të mos vendosim asnjë demokrat përballë një demokrati tjetër. Edhe pse jemi fyer , baltosur, nuk keni dëgjuar kurrë asnjë prej nesh të anatemojë askënd sa kohë është anëtar i Partisë Demokratike. Është përgjegjësi e jona është të mos krijojë përçarje”, tha më tej Bardhi, ndërsa shtoi: Kuvendi i datës 18 është thirrur nga Kryesia e partisë, konfirmimi nënkupton marrjen pjesë në një tubim ndodh gjithçka, nuk mund të them se çfarë mund të ndodhë nesër. E sigurt është që asnjë organ i PD nuk është në atë tubim.