Nesër mbahen Primaret e PD, Fisnik Qosja: Më besoni mua të ardhmen, ti kthejmë dinjitetin Bashkisë Kavajë

Nesër mbahen Primaret e PD, Fisnik Qosja: Më besoni mua të ardhmen, ti kthejmë dinjitetin Bashkisë Kavajë

Kandidati në Primaret e PD në Kavajë Fisnik Qosja ka ftuar të gjithë demokratët dhe simpatizantët të marrin pjesë në
zgjedhjet që mbahen nesër më 4 Dhjetor.

Përmes një mesazhi në “Facebook” Fisnik Qosja i fton ata t’i besojnë si kandidat të opozitës në zgjedhjet e 14 Majit, sipas tij për t’i kthyer dinjitetin dhe vënë në shërbim të qytetarëve Bashkinë e Kavajës.

Mesazhi i Plotë

Të nderuar miq, anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të Degës Kavajë!

Unë jam Fisnik Qosja, lindur dhe rritur në Kavajë, familjar, bashkëshort dhe baba i një djali të mrekullueshëm i cili më frymëzon në çdo hap. Njëri prej jush, mbështetës dhe anëtar i Partisë Demokratike prej një jete, i asaj partie që përfaqëson një ndër kapitujt më të lavdishëm të historisë së qytetit tonë dhe që bën krenar çdo kavajas dhe ndriçon atë se nga vijmë, çfarë ndajmë dhe ku duam të shkojmë.

Shërbimin ndaj Kavajës, si vendin ku kam shpirtin dhe ku kam zemrën, e konsideroj nje përgjegjësi morale; përgjegjësi e lindur mbi principin e fisnikërisë dhe krenarisë tonë shekullore dhe që shkon përtej interesave të ngushta personale. E ndjej se mund të shërbej, mund të ndihmoj qytetin tim, ku kam lindur, ku kam familjen, e ku po rris dhe djalin tim.

Si një i djathtë në gen, jam mbështetur gjithnjë në ato vlera që përfaqësojnë boshtin e përkatësisë tonë ideologjike, që janë dinjiteti, përgjegjësia individuale, familja dhe tradita, morali dhe respekti ndaj tjetrit, si dhe shenjtëria e ligjit dhe shërbimit ndaj interesit publik.

Të nderuar miq demokratë,

Pikërisht në emër te këtyre parimeve dhe principeve që sot duhet të mbrohen më shumë se kurrë, duke e konsideruar si një përgjegjësi morale si dhe i nxitur nga propozimi i shumë miqve të mi, anëtarëve të Partisë Demokratike, intelektualë të qytetit tonë, profesionistëve të ndryshëm, njerëzve aktiv në biznes dhe në politikën lokale, kryetarë seksionesh dhe grup seksionesh, kam vendosur të kandidoj në Primaret e PD, Dega Kavajë.

Vij para jush me një karrierë të gjatë dhe të sukaesshme profesionale si në sektorin privat ashtu dhe publik, ç’ka përbën një garanci për një administrim të suksesshëm të Bashkisë dhe për ta nxjerrë atw nga situata e turpshme ku e ka çuar babëzia dhe banaliteti i administratës socialiste. Dua t’i shërbej me përulësi banorëve të mrekullueshëm të Kavajës Njësive Administrative Golem, Synej, Luz i vogël dhe Helmas dhe do të jem gjithashtu zëri i qindra mijëra emigrantëve Kavajas, kudo që ndodhen jashtë vendit.

Unë kam bindjen se do të mund të rimarrim Bashkinë vetëm me përfshirjen e cdo anëtari dhe simpatizanti të Partisë Demokratike që nga themelimi i Degës Kavajë. Detyra ime por, jam i bindur, dhe e kandidatëve të tjerë gjatë këtyre javëve të primareve do jetë para së gjithash t’i japim zë të harruarve, të padëgjuarve, çdo personi, çdo historie, çdo të riu dhe të reje, çdo simpatizanti, çdo ekzistencë në familjen tonë politike në mënyrë që të respektohet, brenda mundësive tona, çdo kontribut. Kjo është e vetmja rrugë për të arritur fitoren.

Me këtë vetëdije, ju kërkoj mbështetjen tuaj në këtë garë të brendshme, duke marr përgjegjësinë para jush për fitoren e thellë të Bashkisë Kavajë, me premtimin se bashkë do të rikthejmë shpresën për një të ardhme më të mire për veten, për fëmijët tanë, për ëndrrat tona.
Bashkë, për fitoren e Bashkisë Kavajë.

Në këtë kohe zhgënjimi ndaj institucioneve; në këtë kohë ku mashtrimi, vjedhja dhe abuzimi me pushtetin janë kthyer në norma nga kundërshtarët tanë politik, ne këtë kohë kur vetë ideja e demokracisë, si baze mbi te cilën mund te ndërtohet nje e ardhme me e mire për të gjithë, është vënë në dyshim.

Së bashku, t’i rikthejmë dinjitetin Kavajës tonë!