Nëna e 27-vjeçarit të vrarë me tritol e ndaluar për ushtrim prostitucioni, bashkëpunonte me dhëndrin polic

Forcat e policisë kanë arritur të zbardhin detaje të reja lidhur me atentatin me eksploziv që la të vdekur 27-vjeçarin Aleksandër Sadikaj, shumë pranë rrethrrotullimit të TEG.

Mësohet se nëna e 27-vjeçarit që u vra në atentatin me tritol, shtetësja S.K. është ndaluar para disa muajsh dhe është hetuar për veprën penale “shfrytëzim prostitucioni”, por më pas është lënë e lirë.
Asokohe, madje është ndaluar dhe pezulluar edhe dhëndri i saj që ishte polic i qarkullimit rrugor dhe një efektive tjetër, të cilët ndihmonin 53 vjeçaren me informacione për aksionet që zhvillonte policia.

Njoftimi i SHCBA me 25 dhjetor 2021:

 

 

SHÇBA Tiranë ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka vendosur masat e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësit e policisë:

– N/Komisar F.M., 29 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin e Hetimit të Aksidenteve Rrugore në Komisariatin e Policisë të Qarkullimit Rrugor Tiranë.

– Inspektore O.K., 27 vjeçe, me detyrë Operatore e Kamerave në Sektorin e Sallës së Komandimit në D.V.P. Tiranë.

Ekzekutimi i vendimit të Gjykatës u krye në funksion të procedimit penal Nr. 5023, të kryer nga SHÇBA Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë Tiranë, me hetime proaktive disa mujore, për akuzat “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrim i prostitucionit”.

Në zbatim të vendimit datë 23.12.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të këtij hetimi u procedua penalisht edhe shtetasja S.K, 53 vjeçe, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj në qytetin e Memaliajt, u gjetën:

– 2 armë gjahu gjysëmautomatike;

– sasi fishekësh, që mbaheshin pa leje.

Gjithashtu, shtetasve të mësipërm iu sekuestruan edhe 4 telefona celularë në interes të thellimit të hetimeve për veprat penale të sipërcituara.

Nga hetimet e SHÇBA Tiranë ka rezultuar se oficeri i policisë F.M., duke shpërdoruar detyrën, ndryshonte përgjegjësitë e palëve në rast hetimi aksidentesh.

Gjithashtu, dyshohet se në lokalin e vjehrrës së tij, shtetases S.K. ushtrohej prostitucion, por oficerja e Sallës Operative informonte 53-vjeçaren për aksionet që organizonte Policia.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.