Nëna denoncon zhdukjen e djalit, 27-vjeçari prej dy ditësh ka humbur kontaktet

57-vjeçarja Sh.L., ka kallëzuar në polici zhdukjen e djalit të saj. Sipas policisë, kallëzimi nga 57-vjeçarja është bërë më datë 25.12.2021.

Ndërkohë 27-vjeçari D.L., është larguar nga banesa më datë 24.12.2021 dhe se nuk është kthyer më.


“Më datë 25.12.2021, shtetasja Sh. L., 57 vjeçe, ka kallëzuar se me datë 24.12.2021 është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer djali i saj, shtetasi D. L., 27 vjeç”, njofton policia.

Gjithashtu Policia e Tiranës ka vënë në pranga disa persona për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve H. Gj., 61 vjeç, L. Gj., 59 vjeç dhe B. Gj., 52 vjeç, pasi në fshatin Hekal, Petrelë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur dhe i kanë shkatërruar rrethimin e pronës shtetasit S. Gj.


Gjithashtu Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë kanë arrestuar 34-vjeçarin B. D., pasi gjatë kontrollit të mjetit të tij nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

Uniformat blu bëjnë dije se janë arrestuar në flagrance:

– A. H., 27 vjeç; G. Sh., 38 vjeç; Sh. H., 44 vjeç; A. B., 25 vjeç; A. T., 44 vjeç dhe D. Ç., 33 vjeç pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.

– B. F., 32 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin e tij, ka aksidentuar një shtetase të mitur 7 vjeçe dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Sakaq materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.