Plot 2.3 milionë euro do të kushtojë blerja e mobiljeve të drurit për 5 institucione, blerje “të kripura” që vijnë në një moment krize për ekonominë e vendit dhe atë globale.
Ajo që vihet re është se autoriteti kontraktor, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, ka përcaktuar përmasa fikse për të gjitha objektet e kësaj kontrate.
Për mobilimin e zyrave, institucionet kërkojnë tavolina të mëdha mbledhjesh me dy përmasa, 280 x 105 x 75 cm dhe 720 x 280 x 77 cm, por edhe tavolinat e tjera nga ato të vogla deri te ovalet sërish ka specifikime jo vetëm në përmasa por edhe detaje.
Për drejtuesit, tryeza me 12 persona kërkojhet që ndër të tjera të kenë rimeso arre natyrale.
Në rastin e tavolinave për drejtuesit kërkohet që bordet anësore të planit të punës të jenë të harkuara. Jo vetëm kaq, poltronat duhet të jenë me skelet druri, të dizenjuar me linja të drejta të stilit modern dhe me tapiceri prej lëkure ekologjike. Edhe divanet tresh apo dysh kërkohet të jenë komod dhe me veshje lëkurë.
Kjo blerje prej 2.3 milionë euro vjen vetëm pak ditë, pasi Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara deklaroi blerjen e 14 milionë euro karburante për makinat e zyrtarëve.