Artan Mërgjyshi është i kënaqur me pikët e para në drejtimin e Besës. Trajneri e konfirmoi këtë gjë edhe për “Panorama Sport”. “Duke qenë se luanin dy ekipe me traditë, e kishim vlerësuar maksimalisht ndeshjen. Edhe pse përbërja e Flamurtarit nuk është ajo e dikurshmja dhe ka problematikën e vet, e dinim që nuk do të ishte e lehtë. U ka hapur problem të gjitha skuadrave gjithnjë, ndonëse me elementë të rinj.
Pavarësisht rezultatit final, duhet thënë që pjesa e parë ishte e ekuilibruar. Patëm fatin që shënuam shpejtë, pasi edhe Flamurtari kishte mundësitë e veta. Kur e çuam në 2-0 nuk pati më histori ndeshja. Gjithsesi, nuk ishte një fitore e lehtë. E rëndësishme është që morëm pikët, që për mua ishin të parat në krye të Besës dhe tani do përpiqemi të ruajmë ritmin dhe shkojmë drejt objektivit që kemi”, tha fillimisht tiranasi i stolit kavajas.
Kur pyetet nëse do ta ngjisë edhe Besën, ashtu si bëri vjet me Apoloninë, ai përgjigjet: “Është një detyrë e vështirë. Edhe me Apoloninë ishte, por ky është edhe synimi i klubit. Mendoj se do ia dalim”.