Sot do të shoqërohet për në banesën e fundit Aron Tila, 4-vjeçari shqiptar që humbi jetën pas shembjes së pallatit në Torino të Italisë.
Familjarë e miq, shkuan në kishën Sant’Antonio Abate, për t’i dhënë lamtumirën e fundit vogëlushit.
Tullumbace të bardha e blu të shkruara “Aron” mbi to mbushën ambientet e jashtme të kishës.
Të pranishëm në ceremoni, kanë qenë dhe kryebashkiakja Chiara Appendino. Mediat italiane thonë se nëna e fëmijës, Nertila, e cila u lëndua nga shpërthimi dhe shembja e ndodhur disa ditë më parë, i kanë rënë të fikët në momentin e ceremonisë mortore. I rënduar emocionalisht, ka qenë dhe babai i tij Genci.
Si ndodhi ngjarja:
Më 24 gusht, vogëlushi Aron Tila dhe e ëma, Nertila, mbetën poshtë rrënojave të ndërtesës së shembur në Torino, ku edhe jetonin. Një rrjedhje gazi shkaktoi shpërthimin që i mori jetën vogëlushit, plagosi rëndë nënën e tij dhe disa të tjerë.
Babai i djalit, Genci, tha se në Torino kishin shkuar për një jetë më të mirë, ndërsa po mendonin të iknin për në Napoli, për të jetuar atje. Sipas babait, policia duhet të hetojë këtë çështje dhe dikush të mbajë përgjegjësi, sepse sipas tij, pallati gjithmonë mbante një erë të çuditshme dhe kushtet e saj nuk ishin të mira.