Drejtori Muhamet Rrumbullaku u ndalon policëve të mbajnë mjekër

Në takimin e parë me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka lënë disa porosi për vartësit e tyre.

“Dua drejtorë që të mos komandojnë nga zyra, por të jenë në terren, për të kontrolluar, drejtuar dhe menaxhuar veprimtarinë e strukturave policore. Kërkoj analiza të qarta për realizimin e objektivave që keni marrë që në fillim të vitit, analiza për problematikat dhe propozime për zgjidhjen e tyre.

Disiplina në punë dhe performanca në komunitet janë faktorë të rëndësishëm për një organizatë që prodhon rend dhe siguri. Mos toleroni dhe mos ndikoni te strukturat, për të ndihmuar askënd që është në shkelje të ligjit”, mësohet se iu ka thënë Rrumbullaku.

Ndër të tjera ai ka folur edhe për cështje etike e që lidhen me kodin e sjelljes së efektivëve të Policisë së Shtetit. Kryepolicia ka kërkuar të mos ketë asnjë punonjës policie me mjekër. Me sa duket mjekra në Policinë e Shtetit ka ikur bashkë me ish-drejtorin Gledis Nano të shkarkuar para disa ditësh.