Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i bëri me dije BIRN se fatura e aktivitetit të komisionerëve të vetingut në resortin luksoz “Marina Bay” u pagua nga kompania Albsig e biznesmenit Shefqet Kastrati.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përfituar sponsorizim nga kompania private e sigurimeve ALBSIG sh.a e biznesmenit Shefqet Kastrati për të financuar një aktivitet të komisionerëve të saj në resortin luksoz “Marina Bay” në Gjirin e Vlorës në shtator të vitit 2021.
Pasi e mbajti sekret për pothuajse tre vjet emrin e sponsorit dhe investoi të tre shkallët e gjyqësorit për të mos e bërë atë publik, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u detyrua nga një vendim i Gjykatës së Lartë që të vendosë në dispozicion të BIRN Albania një kopje të plotë të kontratës së sponsorizimit me kompaninë e sigurimeve ALBSIG.
Sipas marrëveshjes firmosur në qershor të vitit 2021, kompania ALBSIG ka marrë përsipër të paguajë vlerën e faturës në shumën 3 mijë euro për organizimin e aktivitetit “Strategy Meeting”, që përfshin udhëtimin dhe akomodimin e stafit të Komisionit për tre ditë dhe dy netë në “Marina Bay” si dhe organizimin e ëorkshopit në sallën e konferencave të njësisë akomoduese.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është institucion kushtetues i krijuar në kuadër të reformës në drejtësi për të pastruar sistemin gjyqësor dhe atë të prokurorisë nga magjistratët e korruptuar me premtimin e rikthimit të besimit të publikut te drejtësia.
Kompania ALBSIG sh.a është një prej dhjetra kompanive të biznesmenit Shefqet Kastrati me interesa ekonomike në biznesin e hidrokarbureve, biznesin e ndërtimit, hotelerisë si dhe përfitues i disa koncesioneve gjatë qeverisë “Rama” për menaxhimin e aeroporteve, porteve dhe mirëmbajtjes së rrugës së Kombit.
Marrëveshja e mësipërme nuk është e vetmja e nënshkruar mes Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe kompanisë së sigurimeve, ALBSIG. Më herët në korrik 2020, mes KPK dhe ALBSIG u nënshkrua një kontratë me vlerë 4.4 milionë lekë për sigurimin e shëndetit të këshilltarëve, familjarëve të komisionerëve dhe stafit administrativ të KPK.
Përgjatë mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, qindra magjistratë kanë dhënë llogari dhe janë penalizuar me shkarkim për dhuratat apo sponsorizimet e përfituara nga personat e tretë, të cilat janë vlerësuar në dritën e konfliktit të mundshëm apo në dukje të interesit. Vetë KPK, refuzoi për tre vjet që t’i nënshtrohen të njëjtit standard.
Saga gjyqësore për transparencë nisi me një kërkesë për të drejtë informimi që BIRN i drejtoi KPK për finacuesin e aktivitetit, por përgjigja atëherë erdhi e paplotë, pasi ishin anonimizuar të dhënat e kompanisë sponsorizuese. Më pas, KPK u përball dhe me një vendim të Komisionerit për të Drejtën e Informimit në dhjetor të vitit 2021, që e urdhëronte të vendoste në dispozicion një kopje të plotë të marrëveshjes.
KPK refuzoi ta zbatonte vendimin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe e sfidoi atë në Gjykatën Administrative të Tiranës, ku mori një vendim në favor. Në padinë e vet, Komisioni pretendoi se bërja publike e sponsorit do të cënonte sigurinë kombëtare, procesin e vetingut si dhe imazhin e KPK- së dhe të partnerëve ndërkombëtarë.
Vendimi i shkallës së parë u rrëzua si i pabazuar nga Apeli Administrativ që theksoi se respektimi i klauzolave konfidenciale kontraktore nuk duket se përbën kufizim të parashikuar në marrëveshjen e sponsorizimit, por është interpretuar më pas si i tillë nga Komisioni.
“…Mbi ç’bazë standardi i transparencës, zbatuar tashmë gjatë procesit të vettiung-ut të gjyqtarëve në detyrë, nuk duhet zbatuar edhe për komisionerët quasi gjyqtarë?” u shpreh Apeli Administrativ në vendimin e arsyetuar.
Megjithëse vendimi i Apelit Administrativ ishte i formës së prerë, KPK refuzoi ta zbatonte atë dhe iu drejtua Gjykatës së Lartë me rekurs, por që u rrëzua të mërkurën si i pabazuar duke lënë në fuqi vendimarrjen për transparencë.
KPK dhe ALBSIG nuk iu përgjigjën kërkesave për koment të BIRN mbi ekzistencën e një konflikti të mundshëm të interesit në marrëveshjen e sponsorizimit deri në publikimin e këtij shkrimi. /BIRN/