Kandidati për kreun e ri të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Arnold Kariqi, në një intervistë për CNA.al, ka folur për garën dhe arsyet që e bënë t’i bashkohej asaj, duke u ndalur dhe te situata politike, por dhe të rinjtë.
Duke premtuar mbështetje, meritokraci dhe shpresë, ai dha disa mesazhe të forta, që të mos zgjedhin emigrimin si mundësinë më të shpejtë për të fituar disa para më shumë, por të qëndrojnë pranë prindërve dhe të luftojnë për të ngritur tokën ku lindëm.
Çfarë i mungon sot rinisë?
Shumë prej të rinjve tashmë po humbin shpresën dhe ndjenjën e të qenit shqiptar. Nuk kanë hapësirë për të dhënë maksimumin e tyre në vendin ku janë duke kërkuar gjithnjë e më shumë të gjejnë veten në emigrim. Pra, nëse do t’i japim hapësirën e duhur që të shprehin idetë e tyre dhe ku meritokracia do të gjejë vend mund të ndryshojmë shumë e më shumë. Kërkimi shkencor është një tjetër element që mungon për shkak se nuk kanë vlerësim, apo se pushtetarët i shikojnë me përçmim duke zhvendosur investimet në rrugë të tjera. Janë shumë pika që u mungojnë të rinjve, por vetëm përmes tyre mund të arrihet që këto gropa të mëdha të mbyllen. Të mos harrojmë që forca e rinisë është ajo që ka sjellë ndryshime të forta jo vetëm në Shqipëri. Sot rinia shqiptare ka nevojë për udhëheqës!
Çfarë do t’u sillnit ju të rinjve?
Së pari do të nis me të dëgjuarin. Pra, duke u kërkuar të angazhohen me idetë e tyre. Duke u kërkuar të flasin për çdo çështje që është në interesin e tyre, të familjeve dhe komuniteteve të tyre. Por jo vetëm t’i dëgjoj, por t’i kthejmë ato në projekte që duhen realizuar dhe duke i mbështetur kudo ku janë që këto probleme të gjejnë zgjidhje.
Arsimimi, kërkimi shkencor do të jetë një element thelbësor për të cilin askush nuk flet. Sot për shkak të teknologjisë bota është më e vogël dhe informacioni shumë më i shpejtë. Të rinjtë shqiptar nuk janë më pas se të rinjtë kudo në botë, por ajo çfarë u mungon është mbështetja, shtysa për të krijuar.
Shumë të rinj kanë problem se u kërkohet të vihen në shërbim të individit, por duke u dhënë hapësirën e meritokracisë do të kemi shumë prej tyre që mund të ofrojnë aq shumë sa askush nga ne nuk e kemi menduar!
Rinia ka një gamë mjaft të gjerë për të folur sa do të duhej një kohë e gjatë, por jam i vendosur që do të jenë ata që do t’i japin orientimin e duhur FRPD-së dhe më tej edhe shoqërisë shqiptare.
Cili ëshhtë mesazhi juaj për të rinjtë?
Mesazhi im për të rinjtë është të mos reshtin së foluri, së përpjekuri. Shqipëria është vendi ynë, i paraardhësve tanë dhe do të jetë i fëmijëve tanë. Vetëm përmes tyre dhe vullnetit të tyre vendi ynë do të mund të zhvillohet duke mos cenuar as traditën e as kulturën tonë, por duke e përcuar atë si një vlerë për bashkimin evropian dhe për të treguar se shqiptarët janë të aftë të ndërtojnë shtetin dhe për të rritur ekonominë e tyre.
Pra, mos zgjidhni emigrimin si mundësinë më të shpejtë për të fituar disa para më shumë, qëndroni pranë prindërve tuaj dhe luftoni për të ngritur tokën ku lindëm për t’i dhënë Shqipërisë vendin që meriton!/CNA.al