Mori nën hetim Ilir Metën, SPAK: Hetimi mbi kallëzimin e ish-deputetit Halit Valteri

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sqaruar zyrtarisht nisjen e hetimeve për ish-presidentin Ilir Meta. Në një reagim për mediat, SPAK sqaron se hetimi ka nisur pas një kallëzimi të bërë nga ish-deputeti opozitar, Halit Valteri.

Ky i fundit më 07.06.2022 depotizoi një kallëzim në drejtim të Metës dhe drejtuesve të LSI-së.

Gazetarja KLodiana Lala raportoi në një lidhje live për News24 se Valteri ka ngritur dyshime të forta për financim të paligjshëm të Partisë së Lirisë. “Mbi bazën e këtij kallëzimi SPAK kërkon të dhëna për pasurinë nga formulari i vetëdeklarimit, parë dhe në një kontekst të ri, ku pas lënies së detyrës si President i Republikës Autoriteti i Dosjeve nxori të dhëna që i referoheshin si ish-bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.

U kërkua formulari i dekriminalizimit nëse është plotësuar sipas ligjit. Nëse do të rezultojnë të dhëna të paligjshme, SPAK do të evoluojë me hetimin e kësaj çështje. Kallëzimi është bërë nga z. Halit Valteri. Prokuroria e Posaçme i referohet ligjit 138 të vitit të 2015. Meta e ka kundërshtuar faktin e bërë publik nga Autoriteti i Dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e sigurimit. Në thelb z.Valteri fliste për transaksione të paligjshme. Ka dhe dy emra të tjera që lidhen me këtë kallëzim”, tha Lala.

REAGIMI
Nisur nga interesimi i shumë gazetarëve pranë SPAK, lidhur me një kërkesë që SPAK i ka drejtuar KQZ, sqarojmë se ajo kërkesë është pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Halit Valteri. Nuk kemi ndonjë informacion tjetër për të dhënë. Hetimet vazhdojnë.