Presidenti Ilir Meta do të dorëzojë nesër detyrën në krye të shtetit, ku do të pasohet nga ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj.
Ky i fundit, do të betohet në një seancë të posaçme parlamentare që do të zhvillohet në orën 18:00 në Kuvend. Më pas, në Presidencë, do të zhvillohet ceremonia e marrjes së detyrës së Presidentit nga Bajram Begajt.
Këshilltari i Presidentit Meta, Tedi Blushi ka zbardhur axhendën e kësaj ceremonie e cila pritet të fillojë që në orën 18:45 me mbërritjen e personaliteteve të ftuar.
Postimi i Tedi Blushit:
Nesër, e dielë 24 korrik 2022, në ora 19:15, në Institucionin e Presidentit të Republikës, do të organizohet ceremonia e fillimit të detyrës të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Bajram Begaj.
Ceremonia sipas programit më poshtë, do të mbulohet me regji qendrore, dhe frekuencat satelitore për sinjalin do t’ju dërgohen nesër të gjitha mediave të interesuara.
PROGRAMI I CEREMONISË SË FILLIMIT TË DETYRËS NGA PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË SH.T.Z. BAJRAM BEGAJ
18:45 – 19:15- Mbërritja e të ftuarve
19:15 – Mbërritja e Presidentit të Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj në Presidencë.
19:29 – Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj bashkë me ish-Presidentin e Republikës SH.T.Z. Ilir Meta, dalin nga Presidenca dhe zënë vend në tribunë
19:30 – Luhet Himni Kombëtar nga Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, shoqëruar nga 21 të shtëna topi
19:35 – Znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese i dorëzon Presidentit, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
19:40 – Fjala e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Bajram Begaj.
19:50 – Largimi i ish-Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta
19:53 – Komandanti i Truprojës së Nderit i Forcave të Armatosura i paraqet forcën Presidentit. Kalim në revistë i Presidentit.
19:58 – Presidenti i shoqëruar nga familja hyjnë në Presidencë
20:00 – Pritje zyrtare në oborrin e Presidencës.
CEREMONIA NE KUVEND NË ORËN 18:00
Presidenti i zgjedhur Bajram Begaj do të betohet të dielën në Kuvendin e Shqipërisë për të marrë detyrën për drejtimin e shtetit duke pasuar në këtë post Ilir Metën, 50 ditë pasi u votuan në Parlament.
Në rendin e ditës të bërë publik nga Kuvendi i Shqipërisë, njoftohet se seanca speciale për betimit e kreut të ri të shtetit do të nisë në orën 18:00 të kësaj të diele. Kjo seancë parlamentare, ashtu se çdo e tillë e ngjashme do të ketë në rend dite vetëm ceremoninë e marrjes së detyrës.
Begaj bëhet kështu Presidenti i 8-të i Republikës pas rënies së sistemit komunist dhe mandati i tij është mandat 5-vjeçar.
“Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës së seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet” thuhet në urdhrin e Lindita Nikollës.
Bajram Begaj u zgjodh President i Republikës në raundin e katërt, pasi u propozua nga partia socialiste pasi dështuan 3 raundet e para. Kandidatura e tij mori 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim, në seancën parlamentare të 4 qershorit në të cilën morën pjesë 83 deputetë.
Grupi Parlamentar i drejtuar nga Enkeljed Alibeaj nuk mori pjesë në seancë ndërsa mbështetësit e Berishën morën pjesë në seancë por bojkotuan votimin. Këtë gjë nuk e bënë LSI, pavarësisht se votoi kundër, PDIU dhe PSD. Pasi u njoh me përzgjedhjen si kandidaturë nga Begaj u takua me Kryeministrin Edi Rama gjatë të cilit ai i tha kreut të qeverisë se:
“Është vlerësim shumë i madh të jesh President i një vendi. Nderi, detyra dhe atdheu janë motoja e punës dhe besoj që do të jem 24/7 n ë shërbim të kësaj motoje”, tha Begaj teksa merrte vlerësime nga Rama.
Pasi u zgjodh në Kuvend Bajram Begaj zhvilloi takime me ish-Presidentët Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi. Po ashtu, ai zhvilloi një bisedë edhe me Presidentin që po zëvendëson, Ilir Meta. Presidenti i ri, Bajram Begaj është 52 vjeç, ai ka lindur në më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë.
Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake. Bajram Begaj flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.