Futbollisti i Shqipërisë, Mirlind Daku, ka kërkuar falje për fyerjet që ka bërë pas ndeshjes me Kroacinë në Kampionatin Evropian “Euro 2024”. Në një shkrim në Facebook, Daku ka thënë se fyerjet e tij kanë qenë afekt i lojës.
“Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona. Falja është burrërore, dhe e ndjej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar”, ka shkruar ai në Facebook.
Në postimin në Facebook, Daku ka shprehur falënderime për përkrahësit e Shqipërisë.
“Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, ku vetëm brenda fushës mund të kuptohen, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, ‘Shqipëri dashni pa kufi’”, ka shkruar ai.
Kërkimfalja e tij u publikua tek pasi u njoftua zyrtarisht se UEFA ka nisur hetimet ndaj tij dhe Federatës së Shqipërisë për pretendimet për fyerje pas ndeshjes Shqipëri-Kroaci të mërkurën.
UEFA ka caktuar një inspektor për të kryer hetimet “lidhur me sjelljen e mundshme raciste dhe diskriminuese nga tifozët, që dyshohet se kanë ndodhur në ndeshjen Kroaci – Shqipëri”. Gjasat janë të mëdha që FSHF-ja dhe Federata kroate të gjobiten nga UEFA. Të dy federatat tashmë janë gjobitur për sjelljet e tifozëve të tyre në ndeshjet e xhiros së parë të “Euro 2024”. Më i rëndë vlerësohet rasti i sulmuesit të Shqipërisë, Mirlind Daku. Pas ndeshjes me Kroacinë, Daku mori altoparlantin dhe iu afrua tribunës ku ishin tifozët shqiptarë. Është dëgjuar duke nisur fyerje ndaj maqedonasve. Të enjten paradite Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut doli me reagim zyrtar duke kërkuar nga Daku që të kërkojë falje dhe nga UEFA-ja që të hetojë rastin. Rasti i Dakut u përmend edhe në letrën e Federatës serbe për UEFA-n. Dhe UEFA do ta hetojë edhe atë.