Gjatë inspektimit në qendrën shëndetësore tek Mali i Robit në Golem, një prej zonave me fluksin më të madh të pushuesve gjatë sezonit veror, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se 29 qendrat shëndetësore verore kanë nisur të ofrojnë shërbim 24 orë në 7 ditë të javës.
“Brenda dy ditëve të ardhshme do të kemi serish një lëvrim të kontratave të lidhura të vaksinave anticovid. Do të jenë 100,000 vaksina Coronavac, të cilat pritet të mbërrijnë në ditët e ardhshme, ndërkohë 11,700 vaksina të Pfizer pritet të mbërrijnë ditën e hënë”. Lajmin e bëri të ditur vetë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të qendrës shëndetësore verore Mali i Robit, në Golem.
Duke folur për procesin e vaksinimit, Manastirliu tha se me ardhjen e dozave të tjera, do të ulet fashat e vaksinimit masiv në 50 vjeç.
“Me mbërritjen e vaksinave do të mundemi të zgjerojmë fashën e vaksinimit për grupmoshat, sipas kalendarit tonë dhe planit të vaksinimit masiv, duke e ulur në 50 vjeç dhe duke iu dedikuar si fillim qyetarëve të cilët kanë një sëmundje kronike”, theksoi Manastirliu.