Presidenti Meta vlerëson me Dekoratën “Nderi i Kombit” xhudistet kosovare D’Istria Krasniqi dhe Nora Gjakova si dhe trajnerin e tyre, Driton Kuka: Shembuj frymëzimi për sportistet e reja, që lartësuan krenarinë kombëtare!
9 gusht 2021
Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” dy xhudistetkampione nga Kosova, fituese të “Medaljes së Artë” në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, D’Istria Krasniqi dhe Nora Gjakova, si dhe trajnerin e tyre, Driton (Toni) Kuka.
Kreu i Shtetit çmoi sportisten D’Istria Krasniqi, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për rezultatet e shkëlqyera si fituese e Medaljes së Artë në Lojërat Olimpike Verore të Tokios 2020, në sportin e Xhudos, duke treguar aftësi profesionale dhe talent të padiskutueshëm. Me mirënjohje për pasionin dhe përkushtimin e saj duke dëshmuar cilësi të rralla si sportiste e nivelit botëror, duke ngritur lart krenarinë kombëtare.”;
si dhe sportisten Nora Gjakovën, me motivacion: “Në shenjë vlerësimi për rezultatet e shkëlqyera si fituese e Medaljes së Artë në Lojërat Olimpike Verore të Tokios 2020, në sportin e Xhudos. Me mirënjohje ndaj talentit dhe personalitetit të saj, që e shndërroi në një shembull frymëzimi për sportistet e reja, duke ngritur lart krenarinë kombëtare”.
Po ashtu, Presidenti Meta vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” trajnerin e tyre, Driton (Toni) Kuka, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për talentin dhe personalitetin e gjithanshëm të treguar në sport, me arritjen e rezultateve të larta në sportin e Xhudos, duke fituar me sportistet e tij medaljet e arta në Lojërat Olimpike Verore të Rios 2016 dhe Lojërat Olimpike Verore të Tokios 2020. Me mirënjohje për punën dhe kontributin e tij në sportin e xhudos, që është kthyer në shembull frymëzimi për të rinjtë e të rejat, duke ngritur lart krenarinë kombëtare”.
Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar autoriteteve të larta të sportit të Kosovës dhe Shqipërisë, sportisteve kampione olimpike dhe familjarëve të tyre, kolegëve dhe të pranishmëve në ceremoninë e vlerësimeve, Presidenti Meta u shpreh:
“Kur Majlinda Kelmendi mori ‘Medaljen e Artë’ në Rio, të gjithë shqiptarët u emocionuan. Ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, sepse ishte hera e parë që Kosova prezantohej në një veprimtari të tillë dhe me shumë sukses, duke tërhequr mjaft vëmendje.
Por tani, kur kemi dy të ‘arta’ nga Tokio, sigurisht që nuk kemi të bëjmë thjesht me një ngjarje dhe me një talent të jashtëzakonshëm, siç ishte dhe është Majlinda Kelmendi, por kemi të bëjmë me një projekt të jashtëzakonshëm, me një vazhdimësi dhe një strategji, me një punë tepër profesionale, por edhe shkencore.
Dëshiroj të shpreh falënderimin më të përzemërt për D’Istria Krasniqin, për Nora Gjakovën dhe për Driton Kukën, tre personalitete dhe kampionë të jashtëzakonshëm, të cilët sot kam privilegjin t’i vleresoj me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit”, për arritjet e tyre madhështore në sportin e xhudos, për këtë diplomaci të jashtëzakonshme sportive që ju keni bërë, ashtu sikurse ishte dhe aderimi dhe prezantimi me sukses i Kosovës në UEFA dhe në FIFA.
Këto triumfe dhe ‘Medalje të Arta’, kanë dhënë një kontribut të shkëlqyer për imazhin e Kosovës, për të shtuar respektin ndaj saj në botë edhe nga ato vende që ende nuk e kanë njohur, sepse tashmë njohin fuqinë dhe ambicien e këtij vendi, që prezantohet denjësisht përmes këtyre kryeshqiponjave si Majlinda Klemendi, D’Istria Krasniqi dhe Nora Gjakova, si dhe gjithë ekipi i shkëlqyer i xhudos, së bashku me “arkitektin” Driton Kuka.
Faleminderit për atë frymëzim që u keni dhënë të gjithë shqiptarëve, e sidomos të rinjve dhe të rejave, fëmijëve për të qenë plot ëndrra që këto ‘Medalje të Arta’ të shtohen nga shumë të tjera jo vetëm në xhudo, por edhe në sportet e tjera, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Shqipëria dhe shqiptarët kudo ku janë në botë!”