Meta thirrje të arrestuarve për aferën e inceneratorëve: Tregoni kush ju dha garanci për të shkelur ligjin

Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka reaguar sërish për aferën e inceneratorëve.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetin social Facebook Meta, bën thirrje që 400 mln eurot e vjedhura sipas tij me aferën e inceneratorë t’i kthehen qytetarëve shqiptarë.

Gjithashtu ai thekson se të arrestuarit duhet të tregojnë personat të  cilët sipas Presidentit u kanë dhënë garanci për të shkelur ligjet në mënyrë kriminale.

“T’i kthehen popullit shqiptar mbi 400 milion euro të vjedhura me aferën e inceneratorëve! U bëj thirrje të arrestuarve të bëhen “të penduar” dhe të tregojnë se kush ju dha garanci për të shkelur ligjet në mënyrë kriminale.”, shkruan Meta në facebook, duke shtuar: “Mjafton vetëm dëshmia e ish-ministrit të Financave në Komisionin e Parlamentit për të vënë para përgjegjësisë të paktën gjysmën e qeverisë në atë kohë. Ajo që na duhet më shumë është t’i kthehen lekët popullit shqiptar”, shkruan Presidenti Meta.