Meta: Kush falsifikon, tjetërson dhe prek votën, do ta ketë vendin në burg!

 

Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me deklaratën e bërë nga Ipeshkvët katolikë në lidhje me votimet në zgjedhjet e 25 prillit, duke bërë thirrje që të ndëshkohen të gjitha ata që blejnë vota dhe që duan të përzënë shqiptarët nga vendi i tyre.

Meta shkruan se kush falsifikon, kush tenton të tjetërsojë dhe të prekë votën, do ta ketë vendin në burg.

MESAZH I PRESIDENTIT TE REPUBLIKES,ILIR META:

15 prill 2021

NDËSHKONI ATA, QË DUAN TË BLEJNË VOTËN TUAJ DHE T’JU PËRZËNË FËMIJËT NGA SHQIPËRIA, ATDHEU YNË I BEKUAR!

E përshëndes mesazhin e fuqishëm dhe frymëzues të Konferencës Ipeshkvnore tё Shqipërisë, që inkurajon pjesëmarjen masive të qytetarëve në zgjedhjet historike të 25 prillit, një e drejtë dhe detyrim moral ndaj momentit më të rëndësishëm të jetës demokratike dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë.

I bëj gjithashtu jehonë thirrjes së tyre për të mos rënë në grackën e kujtdo, që kërkon t’i trajtojë qytetarët shqiptarë si plaçkë, që shitet e blihet por të votoni me vullnet të lirë dhe për ata kandidatë, të cilët duhet ta meritojnë besimin tuaj!

Kush falsifikon, kush tenton të tjetërsojë dhe të prekë votën, do ta ketë vendin në burg!