Merr fund numërimi, PS fiton 74 deputetë. Votat e pavlefshme ndikuan rezultatin final


Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në të gjithë Shqipërinë dhe përfundimisht Partia Socialiste ka marrë 74 mandate dhe 3 të tjera në dispozicion të saj nga PSD.


Opozita ka marrë gjithsej 63 mandate nga të cilat 59 janë të PD dhe 4 të LSI.

Si kurrë më parë, 83 mijë vota u shpallën të pavlefshme. Më 2017 kishte pasur vetëm 21 mijë të tilla.

Ndër afro 4 milionë shqiptarë që kishin të drejtë vote, morën pjesë diku te 1.5 milionë votues. Ndër ta, afro 7 për qind, ishin votues pa vlerë sepse votat e tyre u skualifikuan.

Por pse ndodhi kjo?

Për herë të parë sivjet u votua me një fletë votimi. Publiku nuk ishte i qartë se si do të votonte. Fushatat informuese ishin dukshëm të pamjaftueshme përderisa në qendrat e votimit shumë njerëz nuk dinin si të votonin. Ata nuk ishin të qartë nëse duhej votuar për kandidat dhe parti të njëjtët dhe shpesh ngatërroheshin pasi kishin preferenca të ndryshme për parti dhe të tjera për kandidatë.

Është e qartë se kaq shumë vota të dala jashtë loje kanë ndikuar bindshëm në rezultatin final që kemi aktualisht. Partia Demokratike këmbënguli sot se një faktor i humbjes ishte numri i lartë i votave të pavlefshme.