Tirana është blinduar këtë të martë të 6 dhjetorit, teksa mirëpret liderët evropianë dhe për 5 orë me radhë do të shndërrohet në kryeqytetin e BE-së.
44 delegacione mblidhen sot në Samitin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor.
Policia e Shtetit ka vendosur “Perimetrin e Sigurisë” për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të Samitit të BE-së. Masa të larta sigurie të marra nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Gardën e Republikës dhe Agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.
Perimetri i sigurisë është i ‘blinduar’ nga njësitë speciale si RENEA, antieksploziv, dhe kontrolle të shumta me qentë antieksploziv janë zhvilluar në çdo cep të zonës së quajtur “vija e kuqe”.
Ndërkohë që nga fotot e siguruara nga gazetari dhe fotografi i Panorama, shihen dhe efektivë me snajpera mbi Pallatin e Kongreseve.
Ky Samit zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe do të mbahet në ambientet e hotelit të hapur në kullën e stadiumit “Air Albania”.