“Më lini ‘arrest shtëpie’, kam fëmijë të vegjël që s’ka kush të kujdeset”- Pse GJKKO doli kundër SPAK dhe liroi nga burgu ish-deputetin e PS-së, Alqi Bllakon

NIKOLETA KOVAÇI/ I vënë nën akuzën e një ndër aferave më të mëdha korruptive të ndodhura në vendin tonë, Alqi Bllako dje ka lënë qelinë.

Gjykata vendosi t’ia plotësojë kërkesën për ‘arrest shtëpie’, pasi ish-numri dy i dikasterit të Mjedisit çoi në Gjykatë argumentin që lidhej me sëmundjen e njërit prej fëmijëve të tij. Ndonëse ndaj tij rëndojnë dy akuza, ajo e korrupsionit dhe e shpërdorimit të detyrës, Bllako, që në krye të herës i kërkoi Gjykatës që t’ia zëvendësonte burgun pa afat me një masë tjetër për shkak të rrethanave familjare si dhe paraqiti argumentin që ai nuk do të largohej, por do të ishte në dispozicion të hetimit. Në fakt, edhe pse gjithçka u mbajt e fshehur, Bllako u largua në kohën kur ndaj tij ishte lëshuar urdhri i arrestit dhe madje, sipas SPAK, edhe mbikëqyrej me punonjës Policie, por që nuk kishin mundur ta verifikonin në momentin që ishte larguar. Por me këtë fakt nuk u mor asnjë institucion i drejtësisë edhe pse për më shumë se 12 orë nuk dinte të thoshte se ku gjendej i shumëkërkuari i Policisë dhe i Prokurorisë së Posaçme.

SEANCA DJE

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, pranoi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në “arrest shtëpie” për ish-deputetin socialist të arrestuar për aferën e inceneratorëve. Si ish-zyrtar që përfaqësonte nivelin më të lartë të nëpunësit civil në Ministrinë e Mjedisit, Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pasi SPAK këmbëngul se ai jo vetëm u implikua gjatë procedurave për inceneratorin e Fierit, por dhe firmosi shkresa që tjetërsuan truallin, në të cilin do ndërtohej inceneratori.

Gjithashtu, i ati u punësua si drejtor i këtij kantieri që SPAK e konsideron një formë korrupsioni të sofistikuar. Gjatë seancës së fundit gjyqësore të mbajtur në maj të këtij viti, ai këmbënguli për pafajësi, mos kompetencë për të firmosur shkresa dhe se nuk kishte asnjë mundësi ndikimi për vendimmarrjen për inceneratorin, pasi në atë kohë Bllako tha se ka qenë i punësuar në Presidencë. Ish-deputeti Bllako është vendosur njëherazi dhe nën hetim pasuror ashtu sikurse ish eprori i tij Lefter Koka, që pret në paraburgim mbylljen e hetimeve, megjithëse ka dorëzuar disa shkresa për të lënë qelinë.

KUNDËRSHTIMI I LIRIMIT NGA SPAK

Prokuroria e Posaçme ka reaguar ditën e djeshme për vendimin e dhënë nga Gjykata për atë që konsiderohet në dosjen e dy prej inceneratorëve të çuar në hetim, si një nga aktorët kryesorë të ngritjes së këtyre dy aferave. Bëhet fjalë për inceneratorin e Fierit dhe të Elbasanit, edhe pse SPAK ende nuk ka nisur hetimet për afera të ngjashme, me anë të të cilave u shfaqen edhe persona që posedonin miliona euro në emrin e tyre, një prej të cilëve kishte ndërruar jetë madje.

Por SPAK pretendon se do ta apelojë vendimin e djeshëm pasi ata nuk janë dakord dhe se i akuzuari nuk plotëson asnjë kusht të lirohet nga qelia. Tashmë pritet që çështja të kalojë në shkallën e dytë të GJKKO-së ku edhe do të vendoset nëse ai do të hetohet në atë masë që u vendos dje apo do të kthehet në qeli sërish!

AKUZA

Ligjvënësi që u arrestua në fund të marsit, Alqi Bllako, u tha se do të përballej me drejtësinë për akuzat e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës, që bazuar në hetimet e SPAK-ut, e implikonin atë si të dyshuar në aferën e inceneratorit të Fierit. Po në dosjen hetimore, doli se deputeti ka kryer udhëtim me avion drejt Italisë së bashku me Klodian Zoton, ish-administratorin e inceneratorit të Fierit. Ndaj të dyshuarit, u tha se janë dy pozicionet e detyrave që mbajti, njëra prej tyre, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, në kohën kur ky institucion drejtohej nga Lefter Koka, tashmë nën dy masa arresti për këto afera dhe tjetra, kur drejtonte AKUM-në, ku sërish dyshohet se ka firmosur gjatë kësaj kohe për çështje që e lidhin me Fierin.

SPAK-u këmbëngul se Alqi Bllako, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka qenë në dijeni të plotë të vlerësimit të shpronësimit në kundërshtim me ligjin. Si rrjedhojë, sipas SPAK-ut, në bashkëpunim Koka dhe Bllako kanë lejuar ardhjen e pasojës që ka sjellë shkaktimin e dëmit prej 16.288.000 lekësh. Sipas dokumenteve që ka sekuestruar Prokuroria, bëhej me dije se procedura e shpronësimit të truallit u krye në kundërshtim me ligjin dhe se anëtarët e Komisionit nuk morën pjesë në këtë procedurë. Ata nuk kanë gjithashtu dijeni për këtë gjë. “Ka një korrespondencë, thotë SPAK, në dosjen hetimore, që është mbajtur me zyrën vendore të regjistrimit të pasurive me kryetarin e Komisionit, Pëllumb Abeshi”.

Më pas, kjo listë për tokën truall u nënshkrua së bashku me relacionin nga drejtoresha juridike dhe u miratua nga Alqi Bllako. Pikërisht këtu është kapur hetimi, duke aluduar se ky fakt ka orientuar gabim edhe kryebashkiakun e Fierit, Armando Subashin, që procedoi sipas shkresave, duke kryer edhe pagesat përkatëse për subjektin përkatës referuar çmimit real që ai posedonte për tokë-arë. @Panorama.al