Me lëndë djegëse në dorë kërcënoi djegien e kutive të votimit, arrestohet i riu

 Policia e Fierit ka shoqëruar një të ri pak moment para se të dilnin kutitë e votimit nga qenda e “Agim” në njësinë administrative Libofshë.

I riu qëndronte me një shishe më lëndë djegëse në dorë dhe ka bërë thirrje se do të digjte kutitë e votimit.

Ai nuk e ka hedhur shishen e ndezur nga dora, ndërsa qëndronte përpara portës së mjediseve të qendrave të votimit.

“Sot rreth orës 19:10, është marrë njoftim se shtetasi M. P., banues në fshatin Havaleas, ka shkuar në kishën e fshatit Agim dhe ka hedhur në oborrin e jashtëm të saj një shishe me molotov e cila ka shpërthyer dhe për pasojë ka pasur vetëm dëme të vogla materiale.

Më pas është larguar dhe në rrugën kryesore të fshatit Agim, në afërsi të qendrës së votimit ka bërë thirrje duke sharë të gjitha subjektet politike duke kërcënuar se do digjte kutitë e votimit.

Menjëherë shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në Komisariatin e Policisë Fier të shtetasit M. P., 37 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar tre shishe molotov, dy mjete prerëse (sëpatë dhe thikë) dhe libra të një sekti fetar të cilat i kishte me vete në një çantë” njoftoi policia.

Po kryhen veprimet procedurale hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.