Ashtu siç edhe u paralajmërua mbrëmjen e djeshme u zhvillua protesta e thirrur nga opozita.
Qindra mbështetës, qytetarë e demokratë iu bashkuan kësaj protesta e cila zgjati rreth 120 minuta. Kjo ishte protesta e parë pas rizgjedhjes së Sali Berishës në krye të PD.
Në këtë protestë e cila u zhvillua para Kryeministrisë nuk u shënua asnjë incident dhe ndërsa Berisha mbylli fjalën e tij, protestuesit janë larguar të qetë.
Në protestë ka pasur mbi 200 persona të caktuar nga PD si “PMT”, Persona për Menaxhimin e Turmës.
Në tribunë kanë hipur me radhë aktivistë, pedagogë, artistë, duke dhënë mesazhet e tyre për gjendjen e vendit dhe largimin e qeverisë.
Siç edhe u theksua më herët, protesta e Frontit të Shpëtimit Kombëtar u zhvillua me qëllim rikthimin e përballjes politike në vend.
Ndërkohë në mbyllje të kësaj proteste, kryetari i PD-së Sali Berisha iu bëri thirrje edhe qytetarëve të heshtur t’i bashkohen protestë, duke u shprehur:”Ne u mblodhëm këtu për tu çuar një mesazh shumicës së heshtur të shqiptarëve, burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, mjekëve, punëtorëve, juristëve, të gjithë atyre që kanë rënë në heshtje, ngrihuni dhe ju bashkohuni me ne, heshtja është e imponuar. Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për dashurinë tonë, për besimin tonë, ndaj ju ftoj të brohorasim ‘e duam Shqipërinë, të bukurën e dheut, si Shqipëria vend nuk ka, rroftë Shqipëri, Zoti e bekoftë atë!”, ka thënë ai.