Mblidhet komisioni për shkarkimin e Metës, Braho e Murrizi kërkojnë transkriptimin e provave

U mbledh sot Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Kreu i këtij komisioni, Alket Hyseni, tha se brenda kësaj jave priten të gjitha informacionet zyrtare nga institucionet.

Hyseni u shpreh se është caktuar data 18 maj për seancën dëgjimore me Presidentin Meta, por siç sqaroi ai, kjo datë është fleksible dhe do të diskutohet me zyrën e Presidentit, ndërsa shtoi se seanca duhet zhvilluar brenda javës së ardhshme.

Më tej, pjesë e diskutimeve ishte zgjedhja e ekspertëve për të ndjekur nga afër zhvillimet e komisionit dhe për të dhënë në fund vlerësimet e tyre. Anëtarët kërkuan që në komision të ishin dy ekspertë, ndërsa një pjesë vlerësuan emrin e Erind Mërkurit.

Por, ishte anëtari Spartak Braho, i cili tha se ekspertët duhet të jenë njerëz me tituj e të vlerësuar, pasi sipas tij, një ekspertizë e mirë të hedhë matanë, një ekspertizë e keqe të varros, ndërsa shtoi se “Na thoni kush janë këto ekspertë, çfarë janë, kanë tituj? Nga rruga janë?

Ndërkoë anëtari tjetër i këtij komisioni Myslim Murrizi gjatë fjalës së theksoi se duhet të ishin të rezervuar sa i takon komenteve për kasat filmike, që do të përdoren si prova ku tregohen shkeljet.

Sipas Murrizit, ai i beson ekspertizës së organeve ligjzbatuese, si SHISH, Prokuroria e Përgjithshme apo SPAK-ut.

Pjesë nga diskutimet në komision:

Hysi: Propozoj të kem edhe ekspertë. Mendoj të diskutojmë për numrin e ekspertëve, të jenë një ose dy.

Hyseni: Janë dy ekspertë.

Braho: Na thoni kush janë këto ekspertë, çfarë janë, kanë tituj? Nga rruga janë?

Bushka: Nuk e çmoj të arsyeshme të kemi më shumë se një ekspertë, por le të japin sugjerime të gjithë anëtarët.

Hyseni: Edhe unë e njoh ekspertin, i njoh punën, besoj që është i denjë për të qenë ekspert i këtij komisioni. Sekretaria të shpërndajë tani CV e ekspertit.

Murrizi: Ka konflikt interesi ky? Vjen, s’vjen? Ta dimë para se ta votojmë.

Braho: Të nderuar kolegë, procedura e ekspertimit të shkeljeve që pretendohet se ka kryer President është momenti më i rëndësishëm i këtij komisioni. Të mos nxitohemi. Pjesa dërrmuese e këtyre anëtarëve e dinë ç’do të thotë një ekspertizë e mirë apo e keqe. Një ekspertizë e mirë të hedhë matanë, një ekspertizë e keqe të varros. Ky komision gjykon nëse ka shkelur apo jo Presidenti rëndë Kushtetutën, që do të thotë që ne të përballemi me interpretimin e Kushtetutës, të shumë akteve të tjera të Gjykatës Kushtetuese me interpretimin e tërë vendimeve, dhe fjalët e ekspertëve janë përfundimi i punës sonë. Ekspertët duhet të kenë nivel të lartë profesional, sepse po gjykojmë Presidentin.

Braho: Unë do të gjykoja, bazuar në materialin që kemi, të tëra akuzat ndaj presidentin, pjesa dërrmuese e tyre janë të pasqyruara në materiale filmike, prononcimet e tij dhe të medias së shkruar, do të kërkoja që këto materiale të transkriptohen, nuk shkon. Unë jam marrë me të tilla ekspertime. Po t’i kemi të transkriptuara është edhe më serioze për komisionin. Ne kemi ekspertë shumë të mirë. Nëse këtë logjikë e pranoni, unë mund të ofroj edhe ekspertin apo grup ekspertësh për këtë punë.

Murrizi: “Ndoshta nga stafi duhej të kontaktohej dhe me rektorin apo dekanin e Juridikut që ta pyesim nëse personi që u miratua në këtë detyrë si ekspert, pranon apo jo. S’duhet të miratojmë, nëse ai nuk pranon. Se ai vjen këtu dhe thotë; ‘nuk pranoj’. Duhet të kontaktohet me rektorin e Universitet, por dhe nga pjesa e juristëve të spikatur. Sa për kasetat filmike, unë do isha i rezervuar në sensin pasi i besoj më shumë informacioneve zyrtare të institucioneve ligjzbatuese. Kam parasysh SHISH dhe Prokurorinë e Përgjithshme e SPAK. Daljet publike të presidentit, ato dalje live përballë gazetarëve, dy raste mesa kam parë, gjithsecili mund të thotë se; e kam për gallatë. Por ka qenë emision i drejtpërdrejtë dhe s’ka ndërhyrje. S’besoj se merret për bazë në komisionin hetimor se çfarë shkruan një portal apo media; presidenti ka takuar 4 kontingjent në Tepelenë apo poshtë urës së Rrogozhinës. Informacionet e organeve ligjzbatuese, nëse ka Meta kontakte me elemente të botës së krimit, me elementë që janë të skeduar nga shërbimet përkatëse si elementë antishqiptar, e na vjen nga shërbimi, dhe na vjen zyrtarisht nga Shërbimi, për mua ky është fakt dhe skam nevojë që të pyes tjetër kënd më, nëse ma dërgojnë institucionet ligjzbatuese të këtij vendi”, tha Murrizi.