Mbi 3 orë debat dhe përplasje në komision/ PS bllokon hetimin e inceneratorëve, rrëzon kërkesat e PD, Tabaku: Socialistët i dolën në mbrojtje Kokës


KELMENT BAÇI/ Komisioni Hetimor për Inceneratorët është futur në një ngërç, pasi edhe mbledhja e parë për këtë vit nuk solli asnjë avancim në marrëdhënien midis PSsë dhe PD-së.

Mbledhja e Komisionit Hetimor

https://www.facebook.com/kuvendishqiperise/videos/457429172758786/

Pas mbi 3 orë debatesh dhe përplasje mes maxhorancës dhe opozitës, 8 përfaqësuesit e PSsë votuan kundër planit të hetimit të komisionit, duke detyruar kryetaren Jorida Tabaku të mbyllte mbledhjen.

Sipas maxhorancës ky komision ka pasur kohën e mjaftueshme për të thirrur dhe pyetur dëshmitarë apo bërë këqyrjen e impianteve të ndërtuara për përpunimin e mbetjeve. Nga ana e saj, PD-ja pretendoi se pushimet e ndërrimit të viteve kanë humbur 1 muaj kohë, e cila do të ishte shfrytëzuar për t’i shkruar deri në fund hetimeve të asaj që ajo e konsideron këtë si aferën me një dëm prej 430 milionë euro në buxhetin e shtetit.

Plani i hetimit i propozuar demokratëve kërkonte thirrjen dhe marrjen në pyetje të 20 dëshmitarëve dhe disa emrave të tjerë të medias dhe politikës të shtuar në mbledhjen e djeshme.

Nga ana e saj, maxhoranca kërkonte që puna të niste, por Komisioni Hetimor sipas saj duhet të përfundojë në afatin e caktuar. Për nënkryetaren e PD-së, Jorida Tabaku, koha e mbetur në dispozicion është e pamjaftueshme për t’i shkruar deri në fund, ndërsa tha se PS-ja mori në mbrojtje skemën korruptive të inceneratorëve.

“Fatkeqësisht, PS-ja votoi kundër hetimit të inceneratorëve, aferës që ka përpara drejtësisë një ministër që është Lefter Koka. Ky Komision ka një fitore të vogël që është vendosja përpara drejtësisë e Lefter Kokës. PS-ja duhet të na lejonte që të vijonim hetimin për 3 muaj. Partia Socialiste doli mburojë e Edi Ramës dhe Lefter Kokës. Vota kundër tregon mbrojtjen politike që i jep kësaj afere dhe që janë të gjithë brenda”, tha Tabaku.

Nga ana e saj, nënkryetarja e këtij Komisioni, Ermonela Felaj u shpreh se PS-ja është e gatshme të përmbushe detyrimet e përcaktuara nga Kuvendi, por brenda afateve të rregullores.

“Ne jemi gati, që nesër të shkojmë të shikojmë investimet në tre inceneratorët, që ju i quani skena krimi. T’i shohim dhe pastaj secili mban qëndrimin e tij. Duhet t’i mbetemi besnikë këtij objekti e vendimit që mori Kuvendi kur na vuri në dispozicion një afat që ju vetë e keni kërkuar, mendoj që jemi në kohë për ta kryer këtë hetim e për të shkuar në fund të çdo kërkese që është ngritur në këtë Komision nga secili nga ju”, tha Felaj.

Midis debatit, deputetja e PS-së Felaj u kujtoi kolegëve demokratë protestën e 8 janarit në selinë e PDsë, ndërsa këta të fundit ia kthyen duke deklaruar se ajo i bën më të fortë për t’i shkuar deri në fund kësaj çështje.