Pas ngjarjes së rëndë në Velipojë ku mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën dy të tjerë, drejtori i policisë së Shkodrës Niko Brahimaj ka mbërritur në vendngjarje teksa ka dhënë dhe një deklaratë për mediat. Ai tha se vrasja ka ardhur pas një konflikti për hapësirat në plazh, teksa konfirmoi se është qëlluar me më shumë se një armë.
“Rreth orës 00:30 këtu në Velipojë ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë kriminale. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të hotel Gocaj,ku për shkak të një konflikti me armë të çastit dhe për motive të dobëta, për shkak të ndarjes së pronësisë mbi sipërfaqet me rërë që shfrytëzohen për vendosjen e shzloneve dhe çadrave, si rezultat i këtij konflikti kanë gjetur vdekjen 4 persona dhe janë plagosur 2 persona. policia menjëherë ka marrë masat, ka ardhur në vendngjarje me grup eskpertësh, në vend kanë ardhur dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe specialistët më të mirë.
Në ngjarje janë përfshirë më shumë se sa një armë, nga personat e konfliktuar. Një armë pistoletë e kemi sekuestruar si provë materiale. Janë sekuestruar një numër pamjesh nga kamerat e sigurisë.
Shumë shpejt do ketë persona të shpallur në kërkim dhe të arrestuar”, deklaroi Brahimaj.
Viktima të konfliktit kanë mbetur shtetasit Kujtim Ferracaku 59 vjeç, Xhovani Gocaj 25 vjeç, Edmond Gocaj 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç, si dhe janë plagosur shtetasit Hasan Ferracaku 54 vjeç dhe Elmilind Dyli 17 vjeç.