Dy persona kanë ndërruar jetë pasi u plagosën më herët gjatë mbrëmjes së sotme me armë zjarri në Velipojë. Raportohet se të dy viktimat janë identifikuar si shtetasit Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi. Të dy u dërguan në spital, por nuk kanë mundur t’u mbijetojnë plagëve të marra.
Nga informacionet e fundit të policisë, dyshohet se incidenti është shkaktuar për motive të dobëta dhe se autorë të dyshuar janë dy vëllezërit E. F. dhe G. F. Të dy vëllezërit janë identifikuar si të dyshuar për plagosjen e shtetasve Hoxha dhe Ishmi. Pas ngjarjes, ata janë arratisur, dhe aktualisht janë në kërkim nga forcat e rendit.
Policia e Shkodrës, së bashku me Forcën Kombëtare të Sigurisë dhe Njësinë Shkodër, ka mbërritur në vendngjarje dhe ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për të zbardhur të gjitha detajet e incidentit.
Ngjarja e rëndë që ndodhi në Velipojë mbrëmjen e sotme, ku dy persona, Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi, humbën jetën nga plagët e marra nga një incident me armë zjarri, e ka zanafillën disa kohë më parë.
Sipas informacioneve të fundit, ngjarja është e lidhur me një konflikt të mëparshëm që ka ndodhur më 28 qershor. Në atë datë, një debat kishte shpërthyer mes kamarierit dhe kuzhinierit të një lokali dhe pronarëve të hotelit, Eduart dhe Gëzim Frroku.
Shtetasi Ersild Ishmi kishte ardhur për të diskutuar me pronarët për shkak të lidhjeve miqësore që kishte me kamarierin dhe kuzhinierin. Si rezultat, Ishmi ishte arrestuar dhe më vonë ishte liruar me masën e arrest shtëpie nga gjykata, masë e cila ishte në fuqi deri natën e sotme.
Mbrëmjen e sotme, Ishmi dhe Hoxha u qëlluan me armë zjarri nga dy vëllezërit Frroku, duke rezultuar në vdekjen e tyre në Spitalin Rajonal të Shkodër.
Grupi hetimor është duke punuar intensivisht në bashkëpunim me Prokurorinë për sigurimin e provave dhe dokumentimin e ligjor të ngjarjes.