Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi se zgjedhjet e 25 prillit ishin një masakër elektorale, ndërsa fajësoi kryetarin e PS-së, Edi Rama se ka përdorur para të pista për fushatë.
Gjatë fjalës së tij të parë pas humbjes, Basha tha nga selia e PD-se se janë më të vendosur se kurrë që të vazhdojnë betejën.
“Por këtë herë kjo nuk mjaftoi. Nuk mjaftoi sepse këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale. Ata ndryshuan kushtetutën dhe kodin zgjdhor duke thyer të gjithë rregullat. Dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve.
Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve. Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara, vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, përdorën kriminelët dhe bandat, kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale. Ai kandidoi përsëri përfaqësuesit e krimit në listat e tij. Dhe pavarësisht gjithë kësaj – ne sollëm një arritje të madhe për demokracinë në Shqipëri.
Ne u bëmë më të fortë. Ne jemi më të vendosur se kurrë. Kushdo që mendon se ne do të dorëzohemi – nuk na njeh mirë! Ne do të vazhdojmë betejën me gjithë fuqinë tonë. Ne do vazhdojmë të luftojmë me gjithçka kemi për demokracinë. Do vazhdojmë të luftojmë deri në fitore, sepse misioni ynë është më i madh se të gjithë ne.”, tha Basha.