Pas disa orë kërkimesh ekipet e Zjarrfikëses së Elbasanit, Emergjencave Civile dhe Ekipet e Alpinizmit të Kërkim Shpëtimit Malor arritën të identifikojnë mjetin e rrezuar në greminë në aksin Fushë Buall-Shushicë. Fatkeqësisht drejtuesi i mjetit nuk ka mundur të mbijetojë.
Disa dhjetëra punonjës u angazhuan për të shpëtuar personin e aksidentuar, por terreni i malor vështirësoi punën e ekipeve të shpëtimit. Është dashur ndërhyrja e helikopterit të emergjencave civile për të lokalizuar vendin e aksidentit. Më pas është bërë e mundur nxjerrja e trupit, fatkeqësisht i pajetë.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Informacion paraprak
Rreth orës 10:30, në terrenin malor të fshatit Fush Bull, shtetasi N. B., 59 vjeç, banues në fshatin Polis, gjatë kohës që ka qenë duke rregulluar kanalin vaditës të fshatit, dyshohet se aksidentalisht ka rrëshqitur.
Shërbimet e Policisë, zjarrfikësit, alpinistët dhe ekipi i urgjencës kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Për shkak të terrenit ka shkuar edhe helikopteri, për të bërë të mundur nxjerrjen e këtij shtetasi.
Për shkak të dëmtimeve shtetasi N. B. nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka humbur jetën në helikopter. Trupi i pajetë po transportohet në morg, për kryerjen e ekspertizës. Ndërkaq vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të rastit.