MARIGLEN KUME
Në takimin e dytë që ish-kreu i PD-së, Sali Berisha, zhvilloi në Fier, simpatizantët e tij, teksa pritën Berishën, thërrisnin Basha ik. Ndërkohë, lideri historik i PD-së në fjalën e tij para demokratëve të qarkut të Fierit, tha se Lulzim Basha është peng i Kryeministrit Edi Rama dhe se vendimin për ta përjashtuar atë nga Grupi Parlamentar i PD-së e ka marrë për të shpëtuar karrigen e tij. “Lul Basha, ‘Peng’, Basha do të jetë mirë të shkojë andej nga erdhi. Nuk ia ka bërë askush partisë atë që ia ka bërë ai. Nuk ma merrte mendja që do të ishte kaq amoral dhe i pabesë. Ne jemi komb i besës. Ne e kemi një veçanti, atë nuk mund ta bëjë. Çfarë do thoshte nëse do mblidhte forumin, nuk fitonte, jep dorëheqjen pra. Kur të kanë peng, nuk të lejojnë të japësh dorëheqjen.
Njeriu i lirë është i lirë në vendimet e tij, gabimet dhe korrigjimet e tij. Ai uroj që ta dorëzojë edhe mandatin dhe të shkojë nga erdhi”, tha Berisha. Ndërkohë, për herë të parë, Berisha u shpreh se kryedemokrati Lulzim Basha i ka kërkuar që të lërë mandatin, pasi Shtetet e Bashkuara kanë dosje. “Ambasadorja ka deklaruar para disa ditësh në Voa se habitem sesi njerëzit bëjnë të paditurin. Më lejoni të them këtu Lulzim Bashës që Berisha e din që ne kemi dosje, por ai nuk i beson. Nga e di që DASH ka dosje? DASH ka marrë vendimin në raporte të qeverisë Rama. Pra, unë s’kam thënë që s’ka dosje, por ato janë shpifje. Rama dhe Agaçi ka çuar me dhjetëra vendime të qeverisë dhe i ka kthyer Prokuroria e tyre. Luli më tha që të lë mandatin sepse do i dënohen fëmijët. Do dënohen të lidhurit. Do dënohet Partia Demokratike. Që të gjithë le t’i marrin, por nuk e dorëzoj mandatin”, tha Berisha.
REFERENDUMI
Pas takimit të parë të Berisëhs me demokratët, ku tregoi planin për t’iu drejtuar Kuvendit me referendum për vendimin e Bashës, lidershipi i PD-së u shpreh se statuti i selisë blu nuk parasheh referendum. Dje, në takimin në Fier, Berisha tha se Kuvendi do të mblidhet pas plotësimit të firmave dhe më pas do ndryshohet statuti i PD-së, ku do të vendoset neni për referendum. “Kryetari thotë që unë nuk do lejoj që të mblidhet kuvend anti-amerikan. Atij i them një gjë: të gjithë ata, gjatë 30 viteve që i kapi frika e forumeve, kanë përfunduar keq, prandaj ja ku i kemi gjithë njerëzit që mbajnë mbi supe, mos ki frikë, mos mendo se mund t’i shkelmosh, mos luaj, mos luaj me pluralizmin.
Kjo parti ka sakrifikuar shumë, ka sjellë pluralizmin. Lëri ato, forumet do mblidhen, Kuvendi i partisë do vendosë. Çdo kryetar që i lejon vetes të marrë vendime që nuk janë pushteti i tij, që në momentin që shpall vendimin përveç kohës së luftës është i shkarkuar dhe pastaj i kalon nënkryetarit ose sekretarit. Do të sanksionohet në Statut. Ç’ka bërë zotëria, në fushatë elektorale thoshte do hapim referendume. Thashë unë, qenka pasionuar nga modeli zviceran. Ky ka hequr referendumin nga statuti i PD-së. Atëherë, marrim Kuvendin, Kuvendi vendos nenin e referendumit në statut dhe bëhet referendumi. Jemi në krizë të thellë, do ta kalojmë së bashku”, tha Berisha.
BASHKËPUNIMI RAMA-BASHA
Në bashkëbisedimin me demokratët dje, Berisha hodhi akuza të reja ndaj Bashës se ky i fundit bashkëpunon me Ramën. Këtë akuzë Berisha e bëri në analizën e gjuhës së Kodit. Sipas Berishës, në një kohë që Basha duhet të shpallte prioritet reformën territoriale, shpalli ndryshimet kushtetuese. Ndërsa dy ditë më vonë, Rama krijoi grupin për ndryshimin e Kushtetutës. Kjo tregon sipas tij se ata janë të dy në simfoni. “Tani do ju flas pak për gjuhën e Kodit.
Del një ditë ish-kryetari opozitës dhe zotohet se do ndryshojë Kushtetutën. Por çfarë do ndryshosh ti, Gjykatën kushtetuese, ku i ke votat ti? Ti 44 vota ke. Por, para dy ditësh, Edi Rama krijon grupin për ndryshimin e Kushtetutës. Pra, kjo është gjuhë kodi. Thuaje ti që të ndjek unë, se është e imja. Po çfarë do ndryshosh ti Kushtetutën kur s’ke vota. Çfarë ndryshimesh do t’i bësh ti? Je ti kryetar opozite? Atëherë zgjedhjet po vijnë, kërko reformë territoriale. Ngri gjithë Shqipërinë në këmbë për të bërë reformën territoriale. Ajo është opozitarizëm. Dhe jo të qeshësh në sintoni me Ramën kur deputeti yt flet me fjalë zemre”, tha Berisha.