Teksa një armëpushim i ndërmjetësuar nga Rusia, ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit po respektohet, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se është i gatshëm të ndihmojë në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe të balancuar për të gjitha palët e përfshira në konflikt.
“Presidenti Macron shpreh gëzimin e tij lidhur me ndalimin e luftimeve, rithekson miqësinë e tij për Armeninë dhe popullin e saj, por po ashtu shpreh gatishmërinë e tij për të arritur një zgjidhje politike të drejtë, afatgjatë dhe që do të pranohej nga të gjitha palët në Nagorno Karabak”, tha zyra e presidentit Macron, teksa njoftoi se ai ka biseduar përmes telefonit me kryeministrin armen, Nikol Pashinian.
Marrëveshja e paqes, për të cilën palët njoftuan më 10 nëntor, erdhi pasi forcat e Azerbajxhanit bën përparim në fushëbetejë në dhe përreth Nagorno Karabakut. Tre marrëveshje të armëpushimit, të arritura që prej se nisën luftimet në fund të shtatorit, nuk u respektuan.
Në luftimet e fundit janë vrarë mbi 2,000 ushtarë dhe civilë nga të dyja palët. Por, marrëveshja e arritur më 10 nëntor po kundërshtohet nga shumë armenë sepse ajo i lejon Azerbajxhanit që të mbajë nën kontroll një pjesë malore në këtë rajon, por edhe pjesë të tjera të territorit që i ka marrë gjatë luftimeve të fundit.
Marrëveshja po ashtu parasheh zhvendosjen e 2,000 trupave paqeruajtëse ruse në këtë rajon.
Nagorno Karabaku, ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por shumica e popullsisë janë armenë etnikë, të cilët kanë qeverisur me këtë rajon të shkëputur, që prej se një marrëveshje paqeje, që u arrit më 1994, i dha fund luftimeve dhe largoi nga ky rajon forcat azerbajxhanase./rel