Akademia Suedeze e Shkencave sot Çmimin Nobel për Letërsi 2020 i ndau poetes amerikane, Louise Gluck, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Gluck u nderua për zërin e saj të pagabueshëm poetik që me një bukuri të rreptë e bën ekzistencën individuale universale”, tha akademia.
Akademia theksoi se kërkimi i Gluck për universalen është frymëzuar nga mitet dhe motivet klasike të cilat mbizotërojnë në shumicën e veprave të saj.
“Puna e Gluck karakterizohet nga një përpjekje për qartësi. Fëmijëria dhe jeta familjare, marrëdhënia e ngushtë me prindërit dhe vëllezërit dhe motrat është një tematikë që ka mbetur thelbësore me të”, tha akademia.
Gluck, 77-vjeçare, gjithashtu është profesoreshë e anglishtes në Universitetin Yale në SHBA.
Ajo ka botuar 12 përmbledhje me poezi dhe disa vëllime ese për poezinë.
Në vitin 1993 Gluck është shpërblyer me Çmimin Pulitzer për librin e saj me poezi “Irisi i egër”.
Çmimi Nobel për Letërsi vitin e kaluar iu dha autorit austriak, Peter Handke, një vendim i cili shkaktoi kritika për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me ish-liderin serb, Sllobodan Millosheviç dhe mohimit të tij të gjenocidit ndaj muslimanëve boshnjakë.