Pas ndeshjeve të fundjavës, radha do t’i takojë pauzës së kombëtareve që do t’u lërë kohë trajnerëve të klubeve të formulojnë edhe një herë strategjitë e tyre për të përballuar si duhet turin e forcës që i pret deri në nisjen e Botërorit.
Tetori ama, përveç sfidave në kampionat, do t’u dhurojë dy prova zjarri Barcelonës e Interit, që do të ndeshen dy herë me njëra-tjetrën në harkun kohor të një jave, sfida këto që do të vendosin shumë për fatin e të dyja skuadrave në Champions League. Në “grupin e vdekjes”, më shumë se dy përballje në grup, këto dy ndeshje duken si një sfidë e dyfishtë me eliminim direkt.
Me Bajernin që duket se e ka shtruar rrugën për të qenë koka e Grupit C, katalanasit dhe zikaltrit do të luajnë mes tyre biletën e mbetur që vlen fazën e 1/8-ave. Në situatën aktuale, përballjet direkte mes tyre pritet të përcaktojnë vendin e dytë, gjithmonë duke llogaritur në letër që si Interi dhe Barça do të kenë në xhep edhe tri pikët ndaj Viktoria Plzenit.