LISTA E ZEZE DHE ‘BILETA E KTHIMIT’/ Zbulohen prapaskenat e vendimit të Kryesisë së PD


Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur t’u japë një shans të dytë 19 prej figurave të selisë blu, të cilët kanë dal hapur në përkrahje të Sali Berishës.

Kryesia vendosi të përjashtojë përfundimisht, Sali Berishën, Flamur Nokën, Edmond Spahon, Albana Vokshin, Bujar Nishanin, Arben Irstanin, Rigels Muçollarin, Keltis Krujën dhe Klevis Balliun. 

Ndërkohë që janë lënë si të pezulluar 6 deputetë të legjislaturës aktuale dhe 13 kryetarët degës dhe ish-deputëtë.

Burime të Panorama.al pranë Partisë Demokratike bënë me dije se pezullimet janë lënë me afat, duke u konsideruar si një shans i dytë për disa nga emrat e njohur të selisë blu.

Kjo mundësi e dytë për t’u ‘rehabilituar’ i është lënë Deputetit, Agron Shehaj, Aldo Bumçit,Belind Këlliçit, Ed Palokës, Çlirim Gjatës, Bledi Himçit, Edith Harxhit, Eno Bozdos, Ervin Minarollit, Genc Deromemajt, Genc Pollos, Gent Strazimirit, Ivi Kasos,Ledina Mandijas, Lorenc Lukës, Luan Baçit, Mimoza Hajadrmamatajt, Oerd Bylykbashit dhe Tritan Shehut.

Mësohet se 19 personalitetet e njohura të PD-së të cilët janë të pezulluar, mund të rikthehen në funksionet e tyre nëse bëjnë distancim publik ose nëse kërkojnë falje për dhunën që u ushtrua më 8 janar.

Vetëm për këta përkrahës të Sali Berishës është lënë i hapur opsioni i rikthimit në PD.

Por burimet bëjnë me dije se ‘zgjatja e dorës” ndaj tyre nuk do të jetë pa limit.

Një opsion sipas burimeve të Panorama.al nëse nuk ka reflektim është mbledhja e strukturave të larta të Partisë për të vendosur “fatin” e tyre dhe t’i shtohen listës së Sali Berishës.

Po ashtu një mundësi tjetër është dhe ajo e përjashtimit automatik në rast se nuk do të ketë “tërheqje publike” nga përkrahja e ish-kryeministrit, i cili është shpallur “non grata”./Panorama.al