Lionel Mesi fiton Topin e Artë, triumfon mbi Levandovskin e Zhorzhinjon


Lionel Mesi ia ka dalë të mposhtë Robert Levandovskin dhe të fitojë ”Topin e Artë” të shtatë në karrierë. Shikoni çfarë ndodhi gjatë ceremonisë gala, që nga trofeu i ”Lojtarit të ri më të mirë, te ”Sulmuesi i Vitit”, ”Topi i Artë” për femra, ”Skuadra më e mirë e vitit” dhe dorëzimi i trofeut të ”Topit të Artë”. 

CEREMONIA 

Mbyllet ceremonia!

22:05 Luis Suarez i dorëzon Lionel Mesit trofeun e Topit të Artë.

21:53 Lionel Mesi fiton Topin e Artë të shtatë në histori

21:48 Çelsi fiton çmimin ”Klubi i Vitit” pas një sezoni fantastik ku blutë fituan Ligën e Kampionëve. Për trofeun flet kapiteni Çezar Aspilikueta.

21:30 Xhanluixhi Donaruma fiton çmimin ”Lev Yashin” për portierin më të mirë të vitit duke mundur rivalët Ederson, Eduard Mendi, Manuel Nojer dhe Jan Oblak.

21:18 Mesfushorja e Barcelonës, Aleksia Putejas fiton ”Topin e Artë” për femra. 

21:15 Kilian Mbape në skenë për të dhënë trofeun e ”Topit të Artë” për femrat. 

20:59 Robert Levandovski fiton çmimin ”Sulmuesi i vitit”. 

20:49  Çmimin ‘’Kopa Trophy’’ për të rinjtë e ka fituar mesfushori i Barcelonës, Pedri Gonzales i cili mposhti Xhud Bellingam, Mejzon Grinud, Nuno Mendesh, Xhamal Musiala.

20:44 Mbape dhe Pedri firmosin fanellat e Okon dhe Alonso. 

20:40 Shuhen dyshimet për pilotët e makinës së kuqe me Topin e Artë, dy pilotët e Formula 1, Fernando Alonso dhe Esteban Okon transportuan trofeun në destinacion. 

20:38 Makina e kuqe luksoze zbarkon me trofeun e ”Topit të Artë”, ka ovacione në sallë. 

20:30 Starton ceremonia e ”Topit të Artë”, Didier Drogba në rolin e prezantuesit.