Operacioni, nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht. I dënuar në Poloni, me 13 vjet burgim, për pjesëmarrje në një grup kriminal dhe për kryerjen e 3 veprave penale, lokalizohet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 42-vjeçari polak.
Në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Varshavës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 4”.
Gjatë operacionit, në Qerret, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Poloni, shtetasi polak, i shpallur në kërkim ndërkombëtar Sebastian Bijak, 42 vjeç.
Gjykata e Varshavës-Pragës e ka dënuar këtë shtetas, me 13 vjet burgim, për krime në fushat e armëmbajtjes pa leje, mashtrimit dhe posedimit të sendeve të vjedhura, si dhe për pjesëmarrje në grup kriminal, vepra këto të dënuara sipas parashikimeve të Kodit Penal të Polonisë.
Interpol Tirana dhe Interpol Varshava po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.