Ish-kreu i PD Sali Berisha ka shkuar në selinë e PD-së me mbështetësit e tij. Pas disa ditësh, pas debatesh të shumta, përplasjeve dhe akuzave në distancë me kreun e PD-së Lulzim Basha, Berisha ka shkuar në PD i shoqëruar nga deputetë demokratë dhe anëtarë të Komisionit të rithemelimit të PD i konstituuar në Kuvendin e 11 dhjetorit.
Përveç tyre Berisha shoqërohet dhe nga dhjetëra mbështetës, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë lloj ndalimi, me gjithë hapat e ndërmarrë nga Basha dhe kryesia e PD që shkarkoi nga funksionet disa prej funksionarëve të PD.
Jashtë dyerve të selisë së Partisë Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë një mesazh, teksa është shprehur se ka shkuar aty për të diskutuar mbi probleme të rëndësishme të së ardhmes.
“Jemi këtu për të sjellë vullnetin e shumicës së demokratëve shqiptarë. Siç e shihni janë anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të PD të zgjedhur në Kuvendin e fundit, të cilët kanë ardhur të vendosen në selinë e demokratëve dhe të diskutojnë për problemet e rëndësishme të të ardhmes. Tani ne po ngjitemi sipër”, tha Berisha.
Më tej, ish-kryeministri Berisha theksoi se “në zyrën e Bashës nuk kemi punë. Sot vijmë këtu për të bërë një mbledhje. Deputeti Basha deri më datën 18 duhet të reflektojë për vendimin e kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e kombit”.