Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar sot me burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Gjykata e ka denohet 3 vite e 4 muaj burg. Gjatë fjales se tij kreu i trupes gjykuese deklaroi se provohet lidhja e Tahirit me Moisi Habilajn dhe Artan Habilajn. Po ashtu gjykata tha se eshte verifikuar se Tahiri ka përfituar shërbime të padrejta dhe shpërdorimi i detyrës ka dëmtuar shtetin.
GJYQI
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit ka kërkuar dënimin me 12 vite burg për ish-ministrin dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çelën. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim zbret në 8 vite burg për të dy ish-zyrtarët për lidhjet e dyshuara me të ashtuquajturin “Grupi i Habilajve”, vëllezërit e akuzuar për trafik të sasive të mëdha të marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë.
Prokuroria e akuzoi asokohe Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.
Edhe në seancën e kaluar, më 31 janar, SPAK-u i qëndroi akuzave të ngritura që në fillim ndaj ish-ministrit, Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal, duke këmbëngulur në dënimin e tij me 12 vite burgim.
Nga ana e tij, Tahiri i kërkoi trupës gjykuese shqyrtimin me objektivitet të provave e fakteve, duke i mëshuar pafajësisë së tij. Edhe avokati i tij, deklaroi se nuk ka asnjë provë që ta lidhë ish ministrin e Brendshëm me një aktivitet kriminal.
Kjo është hera e dytë që çështja ndaj ish-ministrit Tahiri trajtohet në Apel, pas një odiseje të gjatë gjyqësore. Në vitin 2019, ai u dënua në Shkallë të Parë nga gjykata, e cila rrëzoi akuzat e prokurorisë dhe e cilësoi atë fajtor për “Shpërdorim të detyrës”. Dënimi prej 5 vitesh burgim, u konvertua në shërbim prove për 3 vjet e 4 muaj, për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Vendimi u ankimua dhe Gjykata e Apelit nga ana e saj, në qershor të vitit 2020, e riktheu për rishqyrtim në Shkallë të parë. Ankimimi i këtij vendimi në Gjykatën e lartë, pasoi, vitin e kaluar, me prishjen e atij vendimi për shkak të “shkeljeve procedurale” gjatë procesit, dhe rikthimin e çështjes sërish në Apel, me një tjetër trupë gjykuese, e cila pritet të shprehet përfundimisht më 4 shkurt.
Ish-ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën organizatën e vëllezërve Habilaj. Në përgjimet e kryera, emri i zotit Tahiri përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve. Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e tij, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë prove. Në maj të vitit 2018, zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Zoti Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll në vitin 2019.