KELMENT BAÇI/ Deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, vendosi të “kyçë” gojën dhe nuk dëshmoi në Komisionin Hetimor për Inceneratorët.
Që në fillim të seancës, Bllako deklaroi se çdo gjë që di rreth inceneratorëve e ka dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit u shpreh se dëshmitë që ka dhënë në SPAK përbëjnë sekret hetimor, ndaj nuk mund t’i tregojë në Komisionin Hetimor. Por deputeti Bllako u shpreh i prerë, megjithëse, sipas tij, do të donte të dëshmonte më herët në këtë komision sesa në SPAK, ndërsa u shpreh se familja e tij nuk ka pse të përbaltet për diçka të pavërtetë. Kjo gjë nuk u prit mirë nga deputetët e PD-së, të cilët i kujtuan standardin e vendosur nga kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, që foli pas dëshmisë në SPAK.
DISKUTIMET
Jorida Tabaku: Keni mbajtur pozicione të ndryshme dhe jeni thirrur si dëshmitar. SPAK po kryen hetime, jeni thirrur nga organi i akuzës?
Alqi Bllako: Të nderuar kolegë deputetë, më lejoni t’ju informoj se sa i përket objektit të hetimit të këtij komisioni, unë kam dhënë një dëshmi të plotë shteruese për gati 5 orë përpara përfaqësuesve të SPAK-ut. Gjatë dëshmisë, dhe në fund, jam vënë në dijeni se këto janë sekrete hetimore. Ndaj në saj edhe të praktikës ligjore të vendosur nga ky komision, mendoj se jam në kushtet e pamundshmërisë për të dëshmuar lidhur me këto procedura, pasi çdo gjë që di e kam dëshmuar përpara SPAK. Jam i gatshëm që të nënshkruaj deklaratën përkatëse në fjalë. Do t’ju lutesha të bëja disa sqarime për disa të pavërteta që kanë përbaltur emrin tim. Kjo do të ngelet në dorën tuaj.
Jorida Tabaku: Zoti Bllako, kemi vendosur një standard për të mos cenuar hetimet. Për personat që kanë një akuzë, apo që janë thërritur në një status të veçantë, është në vullnetin e tyre të dëshmojnë. Patëm një eksperiencë të shëndetshme me zotin Subashi, që u përgjigj. Këtë duam ta kemi për ju, për të sqaruar të gjitha pretendimet. Nëse doni të fillojmë pyetjet përgjigjet, mund të fillojmë. E gjykoj që kjo do të jetë në të njëjtin standard.
Alqi Bllako: Të jem i sinqertë do të kisha dëshmuar në këtë komision përpara SPAK. E ndoqa zotin Subashi, di mbase të vendosë qartë mbivendosjes së deklaratave në këtë komision, dhe me organin e akuzës.
Jorida Tabaku: Nuk ka mundësi ta përdorësh këtë Komision si Foltore.
Alqi Bllako: Zonja Tabaku, sapo përmendët konfliktin e rëndë të interesit meqë e përmendët. Më keni akuzuar me pa të drejtë për konflikt interesi dhe unë e bëra të qartë që do të firmos deklaratën, por po më latë mund të bëj dhe një deklaratë në lidhje me këtë gjë.
Jorida Tabaku: Deklaratë këtu nuk mund të bëni, duhet t’u përgjigjeni pyetjeve!
Dhurta Çupi: Jeni ju i bindur që nuk përbën sekret hetimor sqarimi për konfliktin e interesit?
Alqi Bllako: Do të doja të më jepni 3 minuta kohë për të folur për konfliktin e interesit. Unë jam sot i angazhuar në politikë dhe kur u angazhova e mora parasysh baltën që mund të hidhej ndaj meje, por familja ime nuk e ka borxh të përbaltet në këtë mënyrë. Është përmendur disa herë në këtë komision. Megjithatë është në diskrecionin tuaj për ta vendosur, ka dhe medium të tjera për ta bërë këtë gjë.
Jorida Tabaku: Zoti Bllako, nëse doni, mund t’ju bëj disa pyetje, deklaratë nuk bëni dot këtu.
Alqi Bllako: Duhet të jeni më e kujdesshme. Ju falënderoj! Atëherë unë po largohem.