Të nderuar delegate dhe delegatë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike,
Të dashur demokrate dhe demokratë,
Të nderuar miq dhe të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,
I nderuar lideri historik Prof. Dr. Sali Berisha
Një përshëndetje të përzemërt për të gjithë nga Kavaja e demokracisë.
Po e nis këtë fjalë time me një urim me dorën në zemër: Uroj që ky Kuvend të jetë hapi i parë i nisjes sonë të re drejt kthimit si forcë e parë politike në vend, me shtytjen dhe bekimin e historisë sonë politike, me thirrjen e së ardhmes, me forca të reja, me energji të reja, me ide të reja, me frymëzime të reja, më të bashkuar se kurrë me njëri tjetrin dhe me qytetarët shqiptarë.
Kjo është pritshmëria që kanë qytetarët tek ne dhe ky është borxhi që i kemi demokratëve.
Ajo që na ka mbledhur dhe na mban të bashkuar në këtë shtëpi politike është pikësëpari dashuria për Shqipërinë, pasioni për t’i shërbyer asaj, për t’i rikthyer sistemin e vlerave që na dallojnë si familje politike në qendër të së cilit janë dinjiteti dhe liria e individit, për ta bërë vendin tonë më të begatë e të jetueshëm për familjet tona, për shoqërinë tonë dhe për fëmijët tanë.
Të gjithë së bashku pak më shumë se një vit më parë kemi vendosur në murin e vlerave tona një parim thelbësor, i cili është guri i parë të gjithë ngrehinës politike që duam të ndërtojmë.
Qytetari dhe anëtari në qendër të cdo vendimarrje politike.
Të gjithë jemi aksionerë të barabartë në këtë organizatë të lirë e të madhe politike. Të zgjedhurit dhe drejtuesit pa përjashtim janë e duhet të jenë të parë mes të barabartëve.
Hierarkitë në PD nuk duhet të emërohen e as të jepen, por të krijohen e mbahen në bazë të kontributeve, rezultateve, respektit dhe besimit të anëtarëve dhe mbi të gjitha, të qytetarëve.
Nuk duhet të harrojmë se demokratët janë më shumë se anëtarët e Partisë Demokratike dhe shqiptarët janë më shumë se demokratët.
Në këtë kontekst ne duhet të hapemi dhe një parti e hapur është një parti që jeton orë e çast me problemet e njerëzve pa dallime politike, një parti që gjen arsye dhe tek kundërshtari, një parti që di të dëgjojë, di të reagojë, di të propozojë, di të luftojnë në të mirë të qytetarëve.
Jemi shumë, por bashkë me qytetarët jemi shumë më shumë. Jemi fitues.
Motra dhe vëllezër,
Partia Demokratike, demokratet kanë shkruar faqet me të ndritura të historisë së tranzicionit shqiptar.
Arritjet peshojnë në përvojën tonë. Por mangësitë dhe gabimet peshojnë në vëtëdijën tonë për t’u korigjuar e përmirësuar.
Partia Demokratike është sërish në qëndër të skenës dhe zhvillimeve politike në vend.
E ndiejmë se qytetarët kanë sytë çdo ditë e më shumë tek ne, tek opozita shqiptare. Ata presin prej cdo dite përgjigje, zgjidhje, rrugëdalje, shpresë, përspektivë.
A po i japim ne këto? Unë e them me bindje se me gjithë përpjekjen tonë kaq nuk është e mjaftueshme!
Duhet të ndryshojmë kurs, duke filluar piksëpari me korigjimin e vetes sonë.
Refuzimi i reflektimit do të thotë të heqësh dorë nga të kuptuarit e gjërave, për pasojë mbetje në rrethin vicioz të përsëritjes së gabimeve apo më keq akoma rënies në gabime të reja.
Duhet të mposhtim rutinën e rrezikshme të familiariazimit me gabimet, vetëkënaqësinë.
Ky kuvend duhet të jetë kuvend i reflektimit, i shikimit përpara, i ndërtimit dhe interpretimit të një opozitë të fortë e moderne, krijuese dhe frymëzuese.
Kemi detyrimin për të ndërtuar një marrëdhenie të re dhe komunikimi të ri, shumë më të hapur e më të drejtpërdrejtë, me organizatat e shoqërisë civile, me grupet e ndryshme të interesit, me qytetarët shqiptarë.
Dëgjimi i qytetarëve, i ndryshimeve që ato kërkojnë nga ne duhet të jetë libri i shenjtë i familjes tonë politike.
- Të ndryshojmë
- Të rritemi.
- Të fitojmë.
Ne vijmë nga idealet dhe idealistët e dhjetorit 1990. Arma e jonë e vetme përballë socialistëve janë idealet tona. Ne duhet t’i tregojmë njerëzve që kemi moralin për t’i mbrojtur këto ideale dhe për të qeverisur vendin.
Me 14 Maj, Kavaja ishte një pasqyrë e këtij modeli. Një shpresë e madhe që ngrohu zemrat demokratëve dhe mijëra shqiptarëve. Kjo duhet të jetë një pikënisje e rëndësishme.
Të nderuar miq,
Kjo është partia e gjithë demokratëve, por me shumë se kaq është alternativa e pushtetit, është institucioni i rotacionit, është pasuri e gjithë shqiptarëve.
Ne kemi qenë dhe jemi autoriteti moral i vendit. Me ketë vetëdije le ta duam më shumë, le ta ruajmë më shumë e ta shërbejmë më mirë, duke e mbajtur të rrënjosur fort në vlerat e historisë së saj, duke e mbajtur të hapur e demokratike, shtëpi të madhe të lirisë për të gjithë njerëzit që e duan Shqipërinë të bekuar.
Rroftë Partia demokratike
Zoti i bekoftë demokratët.
Zoti e bekoftë Shqipërinë!