Kuvendi i Berishës, Gjekmarkaj: Data 12 erdhi, Basha nuk u rrëzua, PD nuk u pushtua, por lindi një forcë e re berishiste antiamerikane

Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së PD Agron Gjekmarkaj ka reaguar për Kuvendin e djeshëm të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Gjekmarkaj deklaron se megjithëse erdhi data 12, Lulzim Basha nuk u rrëzuar dhe as PD nuk u pushtua. Sipas tij ka lindur një forcë e re berishiste antiamerikane dhe këtë e tregon fakti, që 24 orë pas paralajmërimeve të forta të përfaqësuesit të departamentit të shtetit, Sali Berisha e bëri këtë, e tregon qartë qëllimin e tij.

Gjekmarkaj thotë se i ka bërë një shërbim të madh Partisë Demokratike pro- amerikane të 11 dhjetorit 91.

DEKLARATA E PLOTË

PO. Kjo është e vërtetë, e djeshmja qe një dite historike 31 vjet më pas, themelimit të forcës se parë pro- amerikane dhe euro- atlantike- partisë demokratike! Dje lindi “partia” berishiste- “partia” anti- amerikane dhe anti – euro – atlantike!

Ndodhi ajo që pata parashikuar, erdhi data 12, njerëzit ikën! Basha nuk u rrëzua. PD nuk u pushtua. As Ramën nuk e rrëzuan për fat të keq.
Tashme Shqipëria ka jo vetëm një lider politik të shpallur NON- grata nga SHBA; jo vetëm një familje politike NON -grata, por edhe një organizatë politike anti- amerikane që siç ka thënë përfaqësuesi i departamentit të shtetit do të jetë së shpejti non- grata.

Fakti, që 24 orë pas para- lajmërimeve të forta të përfaqësuesit të departamentit të shtetit, Sali Berisha e bëri këtë, e tregon qarte qëllimin e tij: strukturimin e një force politike anti amerikane.

Dhe në fakt i ka bërë një shërbim të madh Partisë Demokratike pro- amerikane të 11 dhjetorit 91, organizata berishiste anti amerikane e 11 dhjetorit 2021. Ngaqë e di që nuk kishte me vend në PD e idealeve të dhjetorit, në partinë studentëve, ai i ndërroi simbolet dhe vulën, dhe shpejt shumë shpejt, është një formalitet ligjor edhe emrin do ta ketë tjetër.

Kjo i jep fund një hipokrizie në jetën politike 30-vjeçare në ketë vend: po në Shqipëri tashme ka lider, familje dhe organizate politike anti- amerikan. Çka është legjitime për të gjitha ata që ndajnë këto ndjenja, qëllime dhe interesa anti – amerikane. Përfaqësimi politik anti- amerikan nga sot është jo vetëm tendencë, vullnet, por edhe një organizatë politike.

Në këtë kontekst thashë mbrëmë që sado të mundohesh nuk jua ndryshon rrjedhën kur duan të bëhen të tillë, nuk janë si fëmijët që mësojnë.
Kjo e plotëson hartën e liderëve dhe formacioneve politike anti – amerikane në Ballkan dhe ky është një realitet me të cilin, bashkë me aleatët tanë amerikanë duhet të merremi, ne si Parti Demokratike dhe ne si shoqëri gjithashtu.

Ç’është e vërteta, ky është produkt i përpjekjeve dhe motivimit personal të Sali Berishës, që pas 31 vjetësh doli hapur në misionin i tij me kaq ngulm, sigurisht i nxitur nga frika dhe i mbështetur fort nga trekëndëshi i Bermudës.

Jam sigurisht mirëkuptues dhe aspak i lënduar nga disa qindra demokratë që duke u bërë bashkë me Sali Berishën, arsyet e tyre reale të pakënaqësisë ndaj Lulzim Bashës dhe PD, i janë bashkuar dje themelimit të asaj organizate. Ata janë demokratë, pro- perëndimorë dhe pro- amerikanë dhe janë aleatet e mi, aleatët e PD në një mision të madh: Mbrëmë e kisha dhe sot e kam atë shqetësim, për mua edhe 100 demokratë janë shume dhe duhet ndjekur çdo rrugë për t’i ripatur dhe s’ka rëndësi kush ndihet më i fortë ku padyshim janë forcat properëndimore.

Nuk mundem të mos shfaq shqetësim e mërzi, dilema kur duhet të votoj për të marrë vendime për koleget e mi. Por kur nuk ke shteg tjetër aty do kalosh. Nuk do të rresht asnjë çast për të theksuar nevojën jetike për dialog, ndaj duhet angazhim intensiv nga lidershipi dhe nga Lulzim Basha të cilin e kam mbështetur edhe në mënyrë kritike, por pa ekuivok në këtë betejë mes Lindjes dhe Perëndimit.

Demokratët duan rrëzimin e Edi Ramës dhe janë kundër çdo organizate anti- amerikane të Sali Berishës dhe katandisjen e saj atje ku e meriton vendin në histori, sepse çdo anti- amerikan, aq më tepër anti- amerikanizmi i strukturuar i Sali Berishës janë thjesht dhe pastër ANTI- SHQIPTARIZEM!
Më datë 18 në Kuvendin e saj Kombëtar, Partia Demokratike rikonfirmon edhe një herë vullnetin e saj properëndimor të vetin dhe të shumicës së shqiptarëve.