“Kushtoi zero lekë”/ Këlliçi publikon foton me Trump: Pavarësisht nga fushata intensive, gjeti kohë të dëgjonte për shqiptarët

Në një takim në SHBA, drejtuesi politik i qarkut të Tiranës, ish-deputeti dhe ish-kandidati për Kryetar të Bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi, u takua me kandidatin për president të SHBA-ve, Donald Trump.

Ky takim, i cili u zhvillua në Ryder Center, Saginaw Valley State Ujiv, u përqendrua në diskutimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-ve, si dhe mundësive për të forcuar bashkëpunimin politik ndërkombëtar.

Këlliçi, si një prej figurave më të njohura të Partisë Demokratike, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e SHBA-ve në procesin e demokratizimit të Shqipërisë dhe rolin e tyre të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit rajonal.

Pavarësisht fushatës intensive, Presidenti Trump gjeti kohën për të dëgjuar mbi Shqipërinë dhe zhvillimet e fundit në të.

Nga ana e tij, Presidenti Trump vlerësoi përpjekjet e Këlliçit për të sjellë ndryshime pozitive në Shqipëri dhe rajon, duke nënvizuar rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit mes vendeve dhe promovimit të vlerave të përbashkëta demokratike.

Në një postim në facebook Belind Këlliçi shkruan:
“Foto e vitit 🇦🇱🤝🇺🇸
Pavarësisht fushatës intensive, Presidenti Trump gjen përherë kohë për të dëgjuar për Shqipërinë dhe shqiptarët!
Shpresoj që foton e radhës ta bëjmë në Shqipëri, kombin që në masë kërkon kurorëzimin e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Për kureshtarët: Kosto???
ZERO lekë, vetëm 1 buzëqeshje 😃”.