Engert Pëllumbi është gjyqtari që sot dha vendimin për dënimin me 3 vite e 4 muaj burg për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Pëllumbi është nga ata gjyqtarë, i cili e ka kaluar procesin e vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka gjetur probleme për pasurinë e gjyqtarit të Fierit Engert Pëllumbi, ndërkohë që ai ka kundërshtar në seancë konstatimin e DSIK-së për papërshtatshmëri dhe paraqiti shpjegime për gjetjet në kriterin e profesionalizmit.
Gjyqtari Engert Pëllumbi u përball në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit vitin e kaluar më 7 tetor, duke kaluar me sukses siten e vettingut.
Gjatë seancës dëgjimore paraqiti qëndrimin e tij për gjetjet e hetimit administrativ për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Për kriterin e pasurisë nuk u relatuan probleme domethënëse.
ARSIMI
Engert Pëllumbi i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Fierit. Në vitet 2017-2020, Pëllumbi punoi si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë dhe prej nëntorit 2020 e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Vlorës si pjesë e skemës së delegimit.
Gjetjet për figurën dhe profesionalizm
Relatori Ilia shpjegoi se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK nuk kishte raportuar të dhëna për kontakte të papërshtatshme të gjyqtarit Pëllumbi. Por, bazuar në një procedim penal të regjistruar pranë Prokurorisë Fier në vitin 2015 dhe të transferuar në Lushnjë ku ishte vendosur pushimi në 2016-ën, DSIK ka konkluduar papërshtatshmërinë.
Duke ju referuar raportit të DSIK-së, Ilia tha se megjithëse nuk janë konstauar kontakte dhe përfshirje në veprime të kundërligjshme, është evidentuar se subjekti mund të ndikohet në ushtrimin e detyrës së tij.
Në seancë nuk u relatua qëndrimi i Komisionit lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës, por Ilia u shpreh se konstatimet e DSIK-së dhe shpjegimet e subjekit të vlerësohen gjatë vendimarrjes përfundimtare.
Gjyqtari Pëllumbi e kundërshtoi raportin e DSIK-së. “Vetë raporti i DSIK-së është kontradiktor. Vetë DSIK thotë se subjekti është pa probleme, pastaj nisur nga një kallëzim dashakeqas që është pushuar ndryshon raportin”, deklaroi Pëllumbi dhe e cilësoi konkluzionin e DSIK-së në kundërshtim me ligjin.
Ai pohoi se ka qenë vetë prokurori kallëzues që e ka regjistruar porcedimin. “E ka dërguar të paketuar në Lushnjë”, tha Pëllumbi. Ai pretendoi se nisur nga fakti se ishte dërguar si procedim penal i regjistruar, Prokuroria e Lushnjës kishte qenë e detyruar që të kryente verifikime para se të vendoste pushimin e çështjes.
Pëllumbi këmbënguli se Prokuroria e Fierit kishte pasur kompetencë vetëm të regjistronte kallëzimin dhe ta transferonte, dhe jo të regjistronte procedimin penal. Ai shpjegoi se çështja për të cilën është kallëzuar ka qenë e natyrës sekrete dhe se ndiqte si praktikë shqyrtimin e tyre në dhomë këshillimi.
Megjithëse Komisioni nuk relatori shumë detaje nga hetimi administrativ për këtë çështje, Pëllumbi shpjegoi se rrëzimi i vendimit të tij nga Apeli ishte çështje interpretimi ligjor. Sipas subjektit, nuk qëndronte vlerësimi i Gjykatës së Apelit Vlorë se duhej të kishte qenë i pranishëm edhe prokurori. “Nuk e di si mund të ishte pranishme vetëm njëra palë”, tha Pëllumbi.
Ai sqaroi se megjithëse kishte qëndrim të ndryshëm nga Apeli, ai e kishte zbatuar në vazhdimësi këtë vendim për trajtimin e çështjeve të ngjashme. “Por, në vitin 2017 ligji ndryshoi sipas praktikës time lidhur me këtë çështje”, theksoi ai.
Në vlerësimin profesional gjyqtarit Engert Pëllumbi i janë “kundërvënë” rezultatet e hetimit administrativ të KPK për tre dosjet e zgjedhura prej tij. Pëllumbi ka dorëzuar për kontrollin profesional fashikujt e tre çështjeve për të cilat ka marrë vendim pezullimi dhe i ka dërguar për kontroll incidental në Gjykatën Kushtetuese.
Relatori Ilia theksoi se shqyrtimi e çështjeve e ka tejkaluar afatin e përcaktuar nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ndërkohë, në dy prej tyre ëshë konstatuar se dhe vendimi për t’u dërguar për kontroll në Gjykatën Kushtetuese është marrë më shumë se një vit nga fillimi i shqyrtimit.
Të tre kërkesat e Pëllumbit për kontroll incidental janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. “Konstatohet se subjekti i rivlerësimit nuk ka respektuar standardet për afatet e vendimarrjeve përfudimtare”, evidentoi Ilia dhe shtoi se dërgimi i çështjeve në Gjykatën Kushtetuese nuk ka qenë rruga e duhur për zgjidhjen e tyre, pasi janë rrëzuar.
Gjyqtari Pëllumbi deklaroi se tre çështjet që kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese i kishte përzgjedhur me qëllim që të vlerësohej për nivelin e arsyetimit ligjor dhe për njohuritë e tij. “Nuk mendoja se do të shqyrtohej afati. Mund të kisha zgjedhur edhe çështje më të thjeshta”, pohoi Pëllumbi.
“E them me krenari se jam ndër të paktët gjyqtarë që procedoj me kontrollet incidentale. Në asnjë rast ky mjet nuk është përdorur për zvarritje nga ana ime”, tha Pëllumbi. Ai vijoi se afati 6 muajor nuk mund të merret shabllon, pasi nuk ishte vendosur nga ish-KLD për të penalizuar gjyqtarët, por për ti vlerësuar me pikë në zhvillimin e karirerës. Sipas Pëllumbit, sipas dispozitave ligjore afati është dy vjet.
Ai pretendoi se dhe në praktikat ndërkombëtare në pak raste pranohen kërkesat për kontrollet incidentale. Subjekti theksoi se i përket shkollës së interpretimit “strikt” të ligjit.
Lidhur me pesë dosjet e shortuara, Ilia tha se subjektit i janë kërkuar shpjegime për disa gjetje por nuk i relatori ato në seancë. Ndaj gjyqtarit Pellumbi janë depozituar katër denoncime nga publiku, por sipas KPK-së, nuk janë gjetur të dhëna apo indicie që mund të ndikojnë vlerësimin e subjektit.