Kujtimet e diplomatit nazist: Hitleri kishte simpati të madhe për Shqipërinë!
Nga Dashnor Kaloçi/
Publikohen kujtimet e panjohura të Hermann Neubacher, diplomati nazist gjerman, i dërguari personal i Hitlerit për Juglindjen e Ballkanit, gjatë viteve 1943-1945, i cili në mes të tjerash në kujtimet e tij përshkruan me detaje dhe hollësira, misionin dhe aventurën e tij shqiptare, në vendin e vogël në Jug të Ballkanit.
Këto kujtime, Neubacher, i ka botuar në Gjermani, disa vjet mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, duke i përmbledhur në një libër, ku midis të tjerash shkruan:
“Në detyrën time të shkurtër dhe lakonike shqiptare, kishte diçka të jashtëzakonshme. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Ribbentrop, më thirri në Beograd në telefon dhe më komunikoi që:
Fyreri dëshironte të më caktonte me detyrë në Shqipëri, e cila do të ishte e pavarur sipas iniciativës së saj dhe lidhur me këtë, që të nesërmen duhej të shkoja në Komandën e XI – të të divizionit gjerman, që ishte dislokuar në Elbasan”. E gjithë situata politike dhe personalitetet shqiptare të asaj kohe, si: Ibrahim Bej Biçaku, Mehdi Bej Frashëri, Xhafer Deva, Patër Anton Harapi, Lef Nosi, Vehbi Frashëri, Rexhep Mitrovica, Abaz Kupi, etj., në optikën e diplomatit nazist, që shërbeu në Shqipëri në vitet 1943 – ‘44
“Kur në fund të gushtit të vitit 1943, në banesën kryesore të Fyrerit, Adolf Hitler, pranova detyrën si “Autorizues i Sekretariatit për Punët e Jashtme të Juglindjes së Ballkanit”, për Shqipërinë ende nuk kisha dëgjuar dhe nuk kisha dijeni të mjaftueshme për atë vend të vogël në Jug të Europës. Asokohe aty mbretëronte ende Viktor Emanueli, kurse një mëkëmbës i tij, sundonte duke e përfaqësuar atë vend. Në detyrën time të shkurtër dhe lakonike shqiptare, kishte diçka të jashtëzakonshme.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Ribbentrop, më thirri në Beograd në telefon dhe më komunikoi që: Fyreri dëshironte të më caktonte me detyrë në Shqipëri, e cila do të ishte e pavarur sipas iniciativës së saj dhe lidhur me këtë, që të nesërmen duhej të shkoja në Komandën e 11-të të Divizionit gjerman, që ishte dislokuar në Elbasan”.
Kështu e kujtonte emërimin e tij me detyrë në Shqipëri, Hermann Neubacher, diplomati gjerman i dërguari personal i Hitlerit për Juglindjen e Ballkanit gjatë viteve 1943 1945, i cili në mes të tjerash, në kujtimet e tij përshkruan me detaje dhe hollësira, të gjithë misionin dhe aventurën e tij shqiptare, në vendin e vogël në Jug të Ballkanit.
Këto kujtime, Neubacher, i ka botuar në Gjermani disa vjet mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, duke i përmbledhur në një libër. Po si erdhi Neubacher në Shqipëri, cila ishte detyra e tij, kush ishin politikanët shqiptarë me të cilët bashkëpunoi ai dhe si i përshkruan ai karakteret e tyre në librin e tij?
Nisja për në Shqipëri
Pasi ishte ngarkuar me detyrën e të dërguarit special të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, për Juglindjen e Ballkanit, Hermann Neubacher-it, i’u komunikua nga ana e Ministrit të Jashtëm Ribbentrop, se Hitleri kërkonte që ai të shkonte me detyrë në Shqipëri. Lidhur me këtë, në kujtimet e tija, Neubacher shkruan: “Tre javë përpara se të mbërrija në Shqipëri, kisha grumbulluar disa të dhëna sipërfaqësore lidhur me atë vend të vogël në Jug të Ballkanit dhe deri në atë kohë më ishte dhënë rasti për të njohur vetëm dy politikanë shqiptarë, të cilët menjëherë pas kapitullimit të Italisë, më kishin kërkuar lidhje mua në Beograd.
Këta ishin Xhafer Deva, i cili dikur në krahinën e Kosovës që administrohej nga serbët, kishte pasur një rol politik dhe tjetri Vehbi Frashëri, djali i Kryetarit të mëvonshëm të Këshillit të Lartë të Regjencës shqiptare, Mehdi bej Frashëri, një intelektual klasi që asokohe jetonte ende në një hotel në Romë, së bashku me vajzën e tij, Mehdien.
Teksa mendoja këto, u nisa nga Beogradi me një aeroplan special, ku më shoqëronte një referent, i cili e meqënse e njihte mirë gjuhën shqipe, do të më vazhdonte të më shoqëronte edhe nëpër Shqipëri. Ishte mbrëmje vonë kur konstatova se në qytetin e Elbasanit ku duhet të mbërrija, nuk kishte fare aerodrom për t’u ulur me avion.
Më dukej tepër vonë që të angazhoja ekspeditën automobilistike për atë problem dhe vendosa, por pa njoftuar Qendrën kryesore, që të zbrisja direkt me avion në qytetin e Tiranës, e cila gjendej akoma nën duart e trupave italiane. Kështu para nisjes sime, një skuadrilje avionësh gjuajtës, fluturuan para nesh si pararojë, sepse armiku kishte pozicione shumë afër detit Adriatik.
Drejtpërsëdrejti, përpara aeroplanit tim “Henikel 111”, fluturuan tre aeroplanë “Ju 52”, me 60 ushtarë të Divizionit “Brandenburg” (nga sektori Abëer II), si përfaqësues të përkohshëm të fuqisë ushtarake gjermane në aeroportin e Tiranës.
Pas fluturimit të këndshëm mbi malet madhështore, ku shkëmbinjtë e thepisur shkëlqenin nga rrezet e diellit, pamë menjëherë Tiranën, me pozitën dhe peizazhet e bukura, me minaret e saja dhe luginat e gjelbërta bri malit të Dajtit. Nga që nuk e njihja mirë vendin, urdhërova që aeroplani të sillej para ndërtesës kryesore të atij aeroporti të vogël ushtarak e civil, prej të cilit dilnin si nga një çerdhe e ngushtuar, ushtarët dhe oficerët italianë”, kujton Neubacher, mbërritjen e tij me aeroplanin ushtarak në aeroportin e vogël të Tiranës.
Keqardhja për italianët
Me të mbërritur në atë vend që për Neubacher ishte pothuaj i panjohur, atë e përshkroi një ndjenjë frike dhe pasigurie, gjë e cila vinte dhe nga momentet e vështira që po kalonte ushtria italiane, që e kishte tensionuar situatën dhe po i sillte asaj kapitullimin e pashmangshëm.
Lidhur me këtë, midis të tjerash Neubacher shkruan: “Në një gjendje frike dola nga makina dhe uniforma ime e zezë diplomatike e hekurosur, shkaktoi habi tek personeli ushtarak që ishte aty. Në pyetjen time, më treguan një bankë që ndodhej në anën e majtë të zgjatur fund të aeroportit, ku gjendej personeli gjerman që shërbente aty.
Për të na pritur, erdhi vetë me automobilin e tij, konsulli gjerman, Shlip. Teksa ecnim me makinë nëpër rrugët e Tiranës, shikonim që shtyheshin me mijra ushtarë italianë të armatosur, të mbledhur në grupe grupe që dukeshin të frikësuar.
Ata rrinin si të humbur në atë vend që ju ngjallte frikë dhe që aleatëve tanë të dikurshëm, t’u bëje rezistencë, kjo nuk kishte kuptim. Ata, italianët, ishin të zënë rob, prandaj gjermanëve ju duhej të marshonin aty për të luftuar.
Ndonëse automobili jonë respektohej me një farë rregulli me përshëndetje ushtarake, e cila vinte dhe nga shenjat e arit që mbaja unë në trup, për ata ushtarë italianë kam ndjerë gjithnjë një keqardhje të thellë në vlugun e atyre ngjarjeve ku ishin përfshirë.
Dalëngadalë me automobilin tone, mbërritëm në konsullatë gjermane. Por sa mbërrita aty, urdhërova që Xhafer Devës, t`i vihej në dispozicion një “Rosë”, për ardhjen e tij nga Kosova në Shqipëri, sepse koha e tij tashmë kishte ardhur”, kujton Neubacher, mbërritjen e tij në kryeqytetin shqiptar dhe në konsullatën gjermane, ku akoma gjendeshin trupat pushtuese italiane.
Njohja me situatën në Shqipëri
Porsa i dërguari special i Hitlerit mbërriti në konsullatën gjermane në Tiranë, i shoqëruar nga konsulli Shlip, sipas instruksioneve të marra më parë, ai kërkoi që të njihej me situatën, gjë të cilën ja kërkonte Qendra, pasi trupat ushtarake gjermane që do të marshonin me autokolona të gjata drejt Berlinit, ishin gati për të hyrë në Shqipëri nga kufiri i saj Jugor me Greqinë. Lidhur me këtë, në kujtimet e tij, Neubacher shkruan:
“Në konsullatën tonë në Tiranë, bisedova me zotin Shlip dhe Shajgerin, të cilët ishin aty si ekspertë të Shqipërisë dhe njohës të mirë të gjuhës së atij vendi, për të cilët Qendra më kishte instruktuar që të bashkëpunoja për të njohur gjendjen në Shqipëri.
Shajger, ish oficer austro-hungarez dhe gjeneral-shtabi, kishte kaluar pas Luftës së Parë Botërore më se 20 vjet në Shqipëri. Ai ishte bërë një leksikograf i vërtetë në lidhje me njohjen e atij vendi, që i njihte në mënyrë të shkëlqyer që nga fiset, familjet, zakonet dhe deri tek persona të veçantë që paraqisnin interes për ne. Në atë kohë situata nuk ishte dhe aq e nderë, ndonëse Shqipëria Jugore ishte pjesërisht në duart e partizanëve komunistë, kundër të cilëve italianët kishin luftuar tepër pa sukses.
Nisur nga këtë shkaqe, qysh përpara ndërrimit të ushtrive aleate, një divizion gjerman ishte vendosur në Elbasan.
Forcat partizane, ishin kundërshtarët e pashmangshëm të trupave tona gjermane, ndërsa e kundërta ndodhte me forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar, të cilët kishin dalë malit për të luftuar italianët.
Ato forca nuk përbënin ndonjë rrezik të madh për ne, që sipas ligjit NR.1, ata si në Greqi dhe Jugosllavi, armiq kryesorë kishin komunistët. Shqiptarët e dinin fare mirë se qëllimi i marshimit të trupave tona drejt Shqipërisë, kishte shkaqe të forta ushtarake, në mënyrë që ne të mbroheshim nga sulmet anësore që na vinin nga kërcënimet e aleatëve anglo-amerikanë nga ana tjetër e kanalit të Otrantos. Deri në atë kohë, nuk më kujtohet fare asnjë akët armiqësor i popullsisë kundër forcave të armatosura gjermane.
Ç’është e vërteta, shqiptari ndënë lëkurë, mbante një rezervë ndaj gjermanëve, për shkak të qëndrimit tonë tolerant ndaj italianëve, në agresionin e tyre ndaj Shqipërisë më 7 prill të 1939-ës. Megjithëkëtë, metodat e suksesshme të austro-hungarezëve gjatë Luftës së Parë Botërore, ende ishin në kujtesë të mirë të popullit, gjë e cila kishte ndikuar që forcat gjermane të priteshin deri në një fare shkalle mirë. Nga Balli Kombëtar, ne pothuaj nuk kishim probleme, ata kishin ndërmarrë vërsulje të gjithanshme kundër forcave partizane në Jug.
Vetëm Abaz Kupi, i cili mbahej si mëkëmbësi i Mbretit Zog në Shqipëri dhe për këtë qëllim kishte qëndruar aty, ku kishte afro njëmijë përkrahës së tij që luftonin në malet mes Tiranës dhe Shkodrës. Tek Kupi, gjendeshin gjithashtu dhe një numër oficerësh anglezë që kishin ardhur me mision për të ndihmuar luftën e nacionalistëve, kundër forcave italiane. Ne përpiqeshim ta linim të qetë Kupin, por dhe ai nuk na ngacmonte fare”, kujton diplomati gjerman, situatën politike në të cilën ndodhej asokohe Shqipëria.
Përpjekjet për formimin e qeverisë
Një nga detyrat kryesore të diplomatit gjerman Neubacher, për të cilën ai kishte ardhur posaçërisht në Shqipëri, ishte dhe interesimi dhe kujdesia për formimin e një qeverie që nuk do t`u sillte telashe atyre. Lidhur me këtë, diplomati i Hitlerit Neubacher, shkruan: “Berlini ngulte këmbë se në Shqipëri të respektohej pavarësia, sipas iniciativave personale.
Ndërsa ky urdhër na rrinte mbi kokë në ajër, nga çasti në çast na mbërrinin lajme të ndryshme për zbarkimin e anglezëve, gjë për të cilën unë kisha konkluduar se: ai zbarkim nuk do të ndodhte kurrë.
Shqiptarët, që në kohën e romakëve kishin një përvojë në punët e okupimit: Ku prej të fortit kërkohej pare dhe armë, kurse te i dobëti që tërhiqej, duhej të grabitej. Kjo ishte traditë e një populli të vogël malësor dhe luftarak, i cili nuk kishte lejuar që kriminelët e mëdhenj ta shkelnin e ta nënshtronin.
Kështu malet e tyre qëndruan të pashkelura për mijra vjetë, por tani ishte një gjë e paqartë: Kush do të mbetej? Me Italinë, shqiptarët kishin mbaruar punë, pasi dhe e kishin çarmatosur. Çfarë entuziazmi dhe bekimi shekullor mbretëronte në kullat e tyre plot armë, e sidomos në shtëpitë fshatare dhe a do të mundeshin gjermanët që të mbeteshin aty, të cilët presioni i aleatëve (anglo-amerikanëve), në bregun tjetër të Adriatikut, po i shtynte drejt Veriut? A duhej që nën shenjën e forcave të armatosura gjermane, të shpallej pavarësia e Shqipërisë, apo duhej pritur zbarkimi i forcave aleate dhe dyluftimi ndërmjet tyre?
Vetëm dy njerëz në fillim të ndarë nga njeri-tjetri, përpiqeshin për krijimin e një Këshilli Nacional reprezentativ, i cili do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë dhe do të mbante pushtetin provizor në vend. Ata ishin Ibrahim bej Biçaku dhe Xhafer Deva nga Mitrovica.
Për krijimin e qeverisë bisedohej ditë e natë. Duke ju përmbajtur tërësisht “niciativës sime”, largoja çdo pjesëmarrje time në këto biseda mjaft dramatike dhe vetëm prisja. Për të qëndruar sa më larg këtyre gjërave dhe për të shmangur çdo përshtypje se ne po bënim presion për formimin e qeverisë, më 12 shtator 1943, u largova nga Tirana, duke bërë disa fluturime për në Beograd, por më 13 shtator, përsëri u ktheva në Tiranë duke pritur që të formohej “Këshilli Nacional” (Regjenca). Më 14 shtator, u bashkuan dy grupet në një Këshill me në krye Ibrahim Bej Biçakun. Aty ishin mbi njëzet vetë, të gjithë personalitete dhe emra që gëzonin respekt në vend.
Aty Prof. Dr. Calaris, që zotëronte shkëlqyeshëm gjermanishten, më komunikoi me një fjalim në formë të përsosur dhe me temperament, që ishte themeluar “Këshilli Nacional” dhe se ai Këshill, kishte proklamuar pavarësinë e Shqipërisë. Ky ishte një lajm i mirë që për mua donte të thoshte kryerje më së miri e detyrës dhe mezi prisja që atë gjë t`ja komunikoja qeverisë së Rajhut gjerman.
Që atë ditë shkova në Këshillin Nacional që po debatonte në Kryesinë e Qeverisë, ndërsa një ditë më vonë, u ktheva përsëri në Beograd. Pas një qëndrimi të shkurtër atje, fluturova me aeroplan për t`ju paraqitur raportin Qendrës në Berlin. Hitleri që kishte simpati të madhe për këtë vend të vogël dhe romantik në Jug të Europës, u tregua shumë i kënaqur për përfundimin e bisedimeve për krijimin e qeverisë shqiptare”, kujton diplomati gjerman Neubacher, lidhur me realizimin e misionit të tij të parë në Shqipëri./Memorie.al