Kryetari i Partisë Demokratike Dega Kavajë Hysen Kadiu ka kritikuar sjelljen e kryetarit të Bashkisë Redjan Krali duke e cilësuar si “Kryetari i Estradës”.
Përmes një reagimi në Facebook, Kadiu thotë se kryebashkiaku Nuk ka lënë aktivitet të fëmijëve ndërsa qendrën e qytetit ka kthyer në mejhane publike.
Kreu i PD i kërkon kryebashkiakut krali të bëjë transparente shpenzimet nga buxheti per birra gjatë finales se botërorit në qendër të qytetit.
Mesazhi i Plotë
Mbrëmë, në ndeshjen finale të kupës së Botës, kryetari estradës, i cili s’lë koncert të fëmijëve pa qenë prezent dhe pa e politizuar, e ktheu qendrën e qytetit në një mejhane publike.
Ftesa skandaloze per Birra falas, që një Zot e di me ç’parash janë financuar, ishte e paprecedentë dhe në kufinjtë e marrëzisë.
E pavarsisht kësaj, edhe pse pjesëmarrja ishte e urdhëuar, e orkestruar dhe e dirigjuar nga kryetari i estradës që punonjësit e bashkisë të ishin prezent, familjarisht, ra në sy një prezencë e vogël e të pranishmëve, gjë që tregon se qytetarët e përbuzen me neveri këtë tallje aspak dinjitoze.
Kjo tregon, që ata nuk i ndjek më askush në aventurat e ndërmarra, në veprimet e tyre donkishoteske dhe pa asnjë dobi në favor të qytetarëve. Qytetarët e kanë kuptuar se ata nuk kanë asnjë lidhje me vlerat dhe virtytet e kavajasve.
Dhe në fund por jo më pak e rëndësishme, kur dihet që Bashkinë e Kavajës e kanë çuar në faliment, a mund të bëhet transparencë për faturën e kripur të gjëmimit të fishekzjarreve dhe birrat falas mbrëmjen e djeshme?