KELMENT BAÇI/ Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama pasi për ta zemërimi i popullatës ndaj kësaj qeverie ka arritur kulmin një ditë pasi ajo prezantoi paketën anti-krizë dhe rritjen e çmimit të energjisë mbi 4 herë për ata që harxhojnë mbi 800 kilovatë energji.
Grupmosha të ndryshme ndihen të indinjuar me nismat e qeverisë dhe thonë se jetesa në vend është bërë e papërballueshme për shkak të çmimeve të larta dhe rrogave apo pensioneve të ulëta.
Për mikrofonin e “News 24” thanë se ky është momenti për një ndryshim në vend. Edhe emigrantët që ndodhen në Shqipëri vërejnë se situata këtu është shumë e rëndë dhe gjithçka që thonë për zhvillim është propagandë.
“Zemërimi popullor ka rritur kulmin dhe besoj të ketë një ndryshim për shumë arsye. Besoj se të gjitha janë të pakënaqur dhe duhet të ketë një ndryshim”, tha një i ri.
Një i moshuar nuk i kurseu kritikat për qeverinë, ndërsa kërkoi ndryshim.
“Shqipëri ka shumë probleme dhe për këto problemet, duhet të jetë një djalë i ri apo vajzë e re që të vendosë shpatullat dhe krahët dhe të përmirësojë gjendjen. Duhet ndryshim”, u shpreh ai.
Një qytetar tjetër ishte edhe me i ashpër me reagimin e tij ku tha se:
“Unë kisha 4 vjet pa ardhur, por sot shoh që këtu qenka bërë skandal. Jo të japi dorëheqjen, por për mendimin tim duhet t’i bëni trekëndëshin te sheshi ‘Skënderbej’. Unë i dëgjoj lajmet që ai thotë se është bukur, po punojmë etj., janë bla-bla. Për mua, i lindur dhe rritur në Tiranë gjithçka është skandal lëre propagandën e këtyre”.
Një grua e cila kishte ardhur për të takuar familjarët e saj, tha se: “Nuk më pëlqen farë situatë aktuale që është në Shqipëri. Do Zoti të ketë ndryshim. Si mund të ecin përpara shqiptarët me këto rroga të vogla, ndërsa ministrat janë duke u pasuruar edhe më shumë, por populli është shumë keq”.
Për pensionistët ndihma e fundit e për ta është e papërfillshme e qesharake dhe një arsye më shumë për largimin e kësaj qeverie.
“Me këto pensione që janë jeta është shumë e vështirë, e papërballueshme. Ne kemi frikë të pimë kafe sepse nuk mundemi të paguajmë as kafen, unë në tërësi e shoh të zymtë situatën”, tha një pensionist.
“Duhet ta kishte dhënë dorëheqjen. Na zhyt në varfëri dhe krizë. T’i japësh 1 mijë lekë në ditë pensionistëve do të thotë të tallesh me të, 700 lekë ka vajtur buka me 300 lekë të tjera çfarë do bëjë ai. Është qesharake fare. Duhet të zgjidhet një kryeministër tjetër pasi gjatë kësaj kohe qeveria ka pasur kohë të korrigjojë dhe përmirësojë gjithçka”, u shpreh një tjetër.
Një qytetar e krahasoi këtë qeveri më të keqe se regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.
“Shamë Enver Hoxhën, këto dolën më të këqij se Enveri. Gjendja këtu është mjerane. Qeveritarët dhe deputetët janë mirë, por populli po vuan e i heq të gjitha të këqijat”, tha ai, ndërsa një tjetër u shpreh se:
“Populli e ka në kurriz dhe duhet të ngrihet i gjithë”.
Skandalet e fundit të qeverisë të denoncuara nga “News 24”, gazeta “Panorama” dhe “Ballkanweb” kanë rritur aq shumë pakënaqësinë e qytetarëve shqiptarë ndaj qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama sa që 84 për qind e tyre kërkojnë largimin e Kryeministrit Edi Rama. Kështu pas skandaleve të zbuluara, ku përveç inceneratorëve, përfshihen dhe tenderët e rrugëve apo dhe emërimet në shkelje të ligjit në Tatime apo dhe Dogana, shumica e qytetarëve kërkojnë largimin e kësaj qeverie.
Në sondazhin online që “Balkanweb” bëri dy ditë më parë mbi 13 mijë qytetarë votuan për largimin e tij./Panorama.al