Më 23 dhjetor 2019, pak javë pas themelimit të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Nisma Thurje – një lëvizje qytetare që më vonë u transformua në parti politike, depozitoi një kallëzim dhe kërkoi vendosjen para përgjegjësisë penale të zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilit kishin nëshkruar kontratën koncesionare të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë USD.
Në kallëzimin e depozituar në SPAK, Nisma Thurje ngre dyshime se zyrtarët publikë të përfshirë në këtë kontratë koncesionare të nënshkruar nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2015 kanë shkelur barazinë e pjesëmarrësve në tendera, kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë kryer korrupsion pasiv duke përdorur pushtetin publik për përfitime private, si dhe i kanë sjellë dëm financiar në vlera të mëdha buxhetit të shtetit.
Një prej drejtuesve të “Nisma Thurje”, Panajot Soko e konsideron këtë procedurë koncesionare si një “katastrofë financiare”.
“Një shërbim i cili realizohej brenda një buxheti prej jo më shumë se 250 mijë euro në vit, sot kërkon një angazhim gati 80 herë më të lartë,” tha ai.
Prej dy vitesh, SPAK ka regjistruar një procedim lidhur me këtë kallëzim për të tre veprat penale të denoncuara, përfshirë “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”; “shpërdorimi i detyrës”; “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” – por ende nuk ka evidentuar zyrtarët përgjegjës për kryerjen e tyre.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se hetimet nuk kanë avancuar përtej fazës paraprake, duke sjellë dhe parashkrimin e veprës penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”; duke shmanguar nga përgjegjësia penale personat që dyshohet se kanë shkelur ligjin dhe kanë krijuar kosto për taksapaguesit.
E pyetur nga BIRN mbi vonesat e hetimit të kësaj çështjeje, e cila përbën dhe kallëzimin e parë të regjistruar nga SPAK pas themelimit si institucion, Prokuoria e Posaçme tha se nuk mund të komentonte për shkak të ‘sekretit hetimor’.
“Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake dhe deri tani nuk ka ndonjë emër të shënuar në regjistër si person nën hetim,” sqaroi koordinatorja për mediat në SPAK, Xhuljeta Krasta.
Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një prej 4 projekteve të Partneritetit Publik Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë, me zanafillë te programi i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama pas ngjitjes së tij në në pushtet në vitin 2013.
Kontrata u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare Sani Service – aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.
Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital LLC- një kompani asokohe e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se Rrapaj u kthye në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe para se të fitonte koncesionin, vendosi kontakte të shpeshta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pajisje me vlerë mbi 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.
Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, e cila përbëhet nga Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimtit, është një institucionet e reja të themeluara nga reforma në drejtësi e miratuar nga parlamenti në vitin 2015.
Ndërtimi i kësaj strukture synonte të rriste përpjekjet dhe efikasitetin e organit të akuzës në luftën kundër korrupsion dhe krimit të organizuar, për të forcuar sundimin e ligjit në vend dhe përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini vëren se nga momenti i kryerjes së kallëzimit penal nga Nisma Thurje deri në dhjetor të vitit 2020, asnjëra nga veprat penale për të cilat është regjistruar procedimi nuk ishte parashkruar.
“Çka do të thotë se mund të ushtrohej ndjekja penale ndaj cilitdo shtetas që do të rezultonte i implikuar në kryerjen e këtyre veprave penale,” sqaron Martini.
“Nga muaji dhjetor 2020 e në vijim rezulton që vepra penale e ‘Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal është parashkruar (referuar nenit 66, pika ‘ç’ të Kodit Penal) e për rrjedhojë, ndjekja penale ndaj shtetasve që mund të kenë kryer këtë vepër penale nuk mund të vazhdojë,”shtoi ai.
Martini sjell në vëmendje se vepra penale regjistrohet pasi prokurori vlerëson se prej materialit kallëzues ka vend të hetohet, pasi në faktet e parashtruara ka elementë të një ose disa veprave penale.
“Nëse nga materiali kallëzues nuk ka elementë të ndonjë vepre penale, prokurori brenda 15 ditësh vendos të mosfillojë procedimin,” shpjegoi Martini.
“Pas regjistrimit ka dy zgjidhje; njëra e pushon dhe tjetra regjistron emrin e personit/personave në regjistër, njofton akuzën dhe e dërgon për gjykim,” shtoi ai.
Shtatë vjet pas nënshkrimit, kontrata e sterilizimit të seteve kirurgjikale po i kushton gjithnjë e më shtrenjtë financave të shëndetësisë, ndërkohë që mjekët dhe kirurgët i kanë rikthyer sytë nga autoklavat e vjetra për të kryer detyrën dhe mbajtur kostot nën kontroll.
“Pamundësia financiare e spitaleve për të përballuar financiarisht kostot e ndërhyrjeve kirurgjikale, për shkak të këtij koncesioni, ka bërë që të reduktohen rastet e ndërhyrjeve tek pacientët në nevoje, vetëm e vetëm prej pamundësisë financiare,” tha Soko.
“Shumë mjekë, në pamundësi për të kryer ndërhyrjet kirurgjikale për shkak të kostove, por edhe të pamundur për të mos i kryer ato për shkak të ndërgjegjes profesionale, kanë vendosur t’i kthehen metodës së vjetër të sterilizimit me autoklavat e vjetra,” përfundoi ai. /Marrë nga BIRN/ Reporter.al