Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur për situatën e tensionuar në veri më 31 korrik, ka thënë se KFOR-i në Kosovë ka rol neutral por janë në gjendje të dërgojnë forca shtesë dhe të mendojnë se është e nevojshme.
Stoltenberg në një konferencë të përbashkët me presidentin serb Vuçiç është shprehur se qëllimi i KFOR-it është të ulë tensionet.
“Nëse ka nevojë ne do të dërgojmë forca shtesë dhe do të intervenojmë aty ku nevojitet dhe do të veprojmë në mënyrë proporcionale. Qëllimi ynë është të ulim tensionet.
Roli i NATO-s në Kosovë është i bazuar në mandatin e OKB-së, që do të thotë se roli ynë është neutral dhe angazhohemi për sigurinë e të gjithë komuniteteve. Ne përkrahim dialogun politik të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ne nuk do të përfshihemi dhe do të mbajmë rolin neutral”,tha Stoltenberg.
I pyetur nëse ushtria serbe ka kaluar vijën administrative të kufirit me Kosovën, Vuçiç tha se kjo s’ka ndodhur dhe s’do të ndodhë.
“Ushtria e Serbisë nuk e kanë kaluar vijën administrative, s’ka ndodhur dhe s’do të ndodhë që të ketë sulm nga ushtria serbe, Serbia ushtarakisht është shtet neutral dhe dëshiron të mbajë paqen”, ka thënë Vuçiç.
TAKIMI ME ALBIN KURTIN
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka përsëritur gjatë konferencës me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin deklaratën se NATO do të parashikojë ndërhyrje në tensionet në veri në rast se situata përshkallëzohet.
Ai u shpreh se nuk përjashtohet mundësia që të shtohet trupa që ndodhen në gatishmëri atje ndërsa theksoi se do të bëhet ajo që duhet në kohën e duhur.
“Ne jemi në Kosovë me 4 mijë trup. Tregon një angazhim të fortë të NATO-s për stabilitetin. Mjafton prezenca e këtyre trupave tona për të dhënë mesazh të qartë që jemi për stabilitetin. Nuk përjashtohet mundësia që të shtojmë trupat tona në veri në rast se do të ketë përshkallëzim të situatës.
Aksionet tona do të jenë proporcionale dhe do bëjmë atë që është e nevojshme për të ndaluar përshkallëzimin e situatës për sigurinë në Kosovë. NATO bën atë që duhet kur është koha e nevojshme”, deklaroi ai.
Gjatë fjalës së tij Albin Kurti kërkoi nga shefi i NATO-s anëtarësimin e Kosovës në aleancën euro-atlantike ndërsa shtoi se institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj kanë arsye të jenë vigjilent në agjendën e dëmshme ruse për Ballkanin dhe Evropën.
“Kemi një vizion të qartë, ne kërkojmë anëtarësim në NATO dhe kjo do të na mundësojë që të japim atë që vendet anëtare na kanë dhënë ne. Jemi të gatshëm që të kontribuojmë në çdo operacion të NATO-s, me të gjitha kapacitetet tona”.
Kërcënimet rreziqet dhe sfidat që NATO-ja i përballon sot ndjehen edhe nga vendi jonë. Institucionet kanë arsye të jenë vigjilent në agjendën e dëmshme ruse për Ballkanin dhe Evropën. Qeveria dhe populli i Kosovës e mirëpret besimin dhe përkushtimin tuaj për paqe të qëndrueshme dhe sigurinë”, është shprehur kryeministri Kurti.
Ndërkaq sekretari Stoltenberg ripërsëriti deklaratën se NATO është e gatshme të ndërhyjë në rastin e një rreziku të mundshëm në Kosovë.
“Veprimet tona do të jenë të matura, dhe do të bëjmë çdo gjë që do të jetë e mundur për të mundësuar që të mos ketë përshkallëzim të situatës në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Stoltenberg i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe t’i zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet përmes dialogut.
“Unë e mirëpres që situata në terren është përmirësuar, por duhet të shmangim çdo përshkallëzim. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha palëve që të veprojnë me përmbajtje. Çështjet e pazgjidhura duhet të zgjidhen përmes dialogut politik”.