Fama e keqe e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit drejtuar nga Dallëndyshe Bici ka mbërritur deri në Departamentin Amerikan të Shtetit ku në raportet vjetore për klimën e investimeve ky Inspektorat përmendet se ka shembur disa shtëpi pa proces të rregullt ligjor. Por në fakt situata është akoma me dramatike.
News24 ka siguruar një audio përgjim të një çifti bashkëshortësh Foti dhe Sofi Doda me inxhinierin urbanistik të bashkisë së Sarandës Ariel Balani, ku biseda është përqendruar mbi përpjekjet e qytetares në fjalë për të marrë lejen e shfrytëzimit të plazhit në bregdetin e Ksamilit. Biseda zbardh skemën e dorovitjes së parave për të siguruar një leje plazhi apo që ndërtimi të mos kalojë me rreth të kuq në listën e shembjeve të IKMT-së. Që në fillim inxhinieri Urbanistik i Bashkisë së Sarandës e orienton çiftin që të bëjnë gati ryshfetin për drejtuesit e lartë të IKMT.
Sofie Doda: Dje ishte e shtunë, si ka mundësi që e mori?
Ariel Balani: Jo dje, të premten në darkë erdhi. Deri tani na ka ecur, nuk e di për më tej…
Sofie Doda: Po ky që del në det si ka mundësi? Si i lejohet këtij?
Punonjësi: Ka aplikuar. Mund të aplikojë çdo lloj njeriu edhe unë mund të aplikoj.
Doda: Si mund të aplikosh?
Ariel Balani: Me NIPT-in e hotelit, dhomat që kam unë mund të aplikoj.
Sofie Doda: Te një njëri që ke 13 vjet që ta ka dhënë këtu komuna dhe ti ke investuar, pse aplikon tek imi që është gati dhe nuk aplikon në një vend që është shtetëror që është më tutje.
Ariel Balani: Se është gati ai.
Sofie Doda: Se është gati!? Po kjo nuk është logjike.
Ariel Balani nënqesh: …Po lërë ç’logjike… Nuk e sheh se ç’bëhet? Nuk e ke parë si funksionon, çohu ti, ulu ti?
Sofie Doda: Po nuk është, se unë punova një jetë në Greqi dhe është djersa e fëmijëve të mi, më kupton? Unë nuk i kam rënë më qafë njeriu, investova. Erdhi ai në 2019 bëri një procesverbal, jo më fal nuk bëri procesverbal, por kërkoi “unë dua kaq lekë, ai kishte 7500”.
Ariel Balani: Tokën e Rebit që keni ju, që jeni të gjithë pjesë i kanë shitur. Rebi e di çfarë bën? Ua ka shitur ca të tjerëve, këta të tjerët tani vijnë dhe ju bëjnë ju këto gjëra. Si mendon ti se ta prish? Ka dhënë lekët që ty të të prishet.
Sofie Doda: Erdhi kërkoi lekë ai, ato lekë që kërkoi i kërkoi në fund të beharit, ne nuk kishim. Ishin 7500 euro. Nuk ia dhamë. Pastaj mori 3000 euro në mars, para se të mbylleshin. Procedurën e kishte bërë, u bë edhe një gjë pa qenë ne fare dhe…. Si ka mundësi? Ku e gjen të drejtën?
Ariel Balani: Ç’të të them?
Bisedat behën aq hapur sa inxhinieri urbanistik merr përsipër që ta zgjidhë problemin me shefen në Tiranë, ndërsa qytetarja kërkon garanci që paratë të bëjnë punë pasi bëhet fjalë për miliona lekë.
Sofie Doda: Ja, ti të ishe në vendin tim tani, ti të investoje kaq lekë se nuk është 5000 (pesëmijë) apo 10000 (dhjetëmijë)… (e ndërpret)
Ariel Balani: Nuk i lë gjërat në dorë të fatit…
Sofie Doda: Po si të veproj se dhe unë do të veproj.
Ariel Balani: Do të kisha shkuar (vajtur) direkt tek i pari që para dy muajsh kur filloi puna. Do të shkoja do të jepja lekët, do të merrja kontratën dhe do të vazhdoja ose po s’pata lekë, po s’pata fuqi ta mbaj…
Sofie Doda: Si nuk kam fuqi ta mbaj? Hodha mbi 100,000 (njëqindmijë) euro atje dhe të mos kem fuqi ta mbaj? Po si ta bëj unë e kërkoj me ligj, me të drejtë…
Sofie Doda: Vetëm se të jetë garant mos na hajë hakun…
Ariel Balani: Unë ti thash dy gjëra, unë jam njeri si ju. Ja do të sqaroj se u bë muhabeti e ta çojmë deri në fund. Se burrë e grua jeni dhe keni të drejtë. Unë do të shkoj në Tiranë, do të flas me njerëzit “është kjo gjëja”, ma bëni- s’ma bëni. Do t’i presim X ditë sa t’më japin ata afatin e tyre 5 ditë, 7 ditë, një javë, 10 ditë a ku di gjë unë dhe në fund ose do të marrim kontratën ose do të sjell prapë lekët. Kaq di të them.
Sofie Doda: Jep fjalë bese seee. Nuk e di unë, jam moshë 60 vjeçe nuk jam aventuriere. Kam punuar dhe…
Foto Doda: Dhe nuk ju shtrija dorën…
Sofie Doda: Po sikur të vijë tjetri e t’ia marrë babait tënd ose nënës tënde do të të vinte mirë ty? Do të të vinte mirë ty t’ia bëjë djali im kështu mamasë tënde!? Jo, kështu që nuk dua që të kemi mpleksje. Unë jam në të drejtë në fakt. Por, nuk e di, po të jetë drejtësia kështu…
Ariel Balani: Nuk është drejtësia kështu, unë jam, mos mendo se unë nuk jam dakord me atë që thua ti. Unë çfarë të bëj?