VALENTINA MADANI/ Qeveria hapi dje garën e re ndërkombëtare për ndërtimin e aksit Milot-Fier, pjesë e Korridorit Blu.
Por qeveria ka vendosur të japë me koncesion për 35 vite aksin rrugor pjesë e Korridorit Blu duke nisur nga Miloti në Fier. Autostrada është e gjatë 115 km, por qeveria po tenderon 86,1 kilometra që do të kushtojnë 839 milionë euro. Por ndërkohë gati gjysma e tyre do të kalojnë në rrugët dhe autostradat ekzistuese.
Në hartat zyrtare të publikuara nga ministria e Infrastrukturës janë 13,5 kilometra rrugë të reja për segmentin Milot-Thumanë, që do të kushtojnë 44,6 milionë euro, 26,6 kilometrat nga Kashar- Luz i Vogël do të kushtojnë 476,8 milionë euro, ndërsa pjesa Luz i Vogël-Lekaj ndërlidhet me rrugën ekzistuese Durrës-Rrogozhinë dhe do të ndërtohet një kryqëzim i ri i cili nuk është parashikuar në këtë kontratë. Për segmenti e tretë Lekaj-Fier, i gjatë 46 kilometra fondi është parashikuar 317,5 milionë euro dhe pjesa me e madhe e punës do të jetë përmirësim i infrastrukturës aktuale. Por autostrada Milot-Fier ka edhe segmentin Kashar-Thumanë që është pjesë e një koncesioni tjetër fillimisht të anuluar dhe më pas të aktivizuar përsëri nga qeveria pas vendimeve të gjykatës.
Kosto e tij eshët llogaritur në 400 milionë euro. Kështu e gjithë autostrada Milot-Fier do të kushtojë 1,23 miliardë euro, pa llogaritur kostot për lidhjet me rrugët ekzistuese që do të kërkojnë miliona euro të tjera. Korridori Adriatiko-Jonian, i quajtur ndryshe Korridori Blu, është pjesë e Korridorit Mesdhetar prej 1560 kilometrash, një projekt rajonal e europian. Tashmë është gati për të nisur projekti i aksit MilotFier, pjesë e Korridorit Blu, njëkohësisht pjesë e “European Connectivity Network”, i cili lidh Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë me Unazën Mesdhetare që aktualisht ndalet në Jug të Kroacisë.
Një takim i posaçëm u organizua dje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për lançimin e disa prej loteve të këtij Korridori, me pjesëmarrjen e drejtuesve të pushtetit vendor, përfaqësues biznesesh dhe operatorë turistikë. I pranishëm në takim ishte edhe Kryeministri Rama, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se Korridori Blu do t’i shërbejë drejtpërdrejti të gjitha zonave që janë përreth tij, si dhe turizmit dhe bujqësisë.
Pas anulimit të garës në vitin 2020 për shkak se kompanitë nuk plotësuan kriteret për të ndërtuar autostradën Milot Fier, qeveria hap garën e re ndërkombëtare për këtë projekt. Ndryshe nga tenderi i kaluar, segmenti Milot-Fier prej 114 kilometrash pjesë e Korridorit Blu nuk do tenderohet në një, por do të jetë i ndarë në 3 lote Milot-Thumanë, Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier. Segmenti tjetër pjesë e kësaj autostrade është edhe Thumanë-Kashar që po ndërtohet. Kryeministri Edi Rama nuk kurseu një mesazh për të gjitha akuzat e hedhura mbi këtë projekt. Rama u kthye përgjigje kritikëve që akuzuan se tenderi për projektin e aktit Milot Fier, ishte i paracaktuar me një fitues të shpallur pa u futur në garë. Një gjë e tillë, për kreun e qeverisë është e pavërtetë.
“Unë jam shumë besimplotë që gara do të jetë e suksesshme. Më vjen shumë mirë që t’i kujtoj sot që të gjitha ato që u thanë për gjoja një tender të parafabrikuar, e bla, bla, bla rezultuan të gjitha një vrimë e madhe në ujë, sepse faktikisht gara u bë me një rigorozitet të atillë që edhe një kompani shumë e madhe që u paraqit, nuk arriti dot ta merrte për shkak se oferta e saj nuk ishte në interes të vendit. Thuhet shumë shpesh që ‘rrugët u bënë’. Jo, nuk u bënë, faktikisht”, deklaroi Edi Rama.
Korridori Blu, kalimi në autostradë me pagesë
Autostrada Adriatiko-Joniane nis në Trieste, kalon në Kroaci, përfshin Malin e Zi, Shqipërinë dhe vijon në Greqi dhe gjatësia e saj për këtë pjesë është 1,550 kilometra. Në kontratën që do të firmoset me Ministrine e Infrastrukturës parashikohet edhe shtesë e afatit. Në total janë 86 kilometër që do të ndahen në Milot – Thumanë e më tej Kashar-PezëLekaj dhe në fund vazhdimi drejt Konjatit e duke u mbyllur në Fier.
Tenderi ndërkombëtar do të mbyllet në 30 shtator, kur edhe do të hapen ofertat e dhëna prej pjesëmarrësve. Në Autostradë, në të cilën do të lejohet qarkullimi deri në 130 kilometër në orë, kalimi do të jetë me pagese. Ndaj dhe kompania fituese do të ketë detyrim dhe ndërtimin e kabinave sistemin e portave të automatizuara për lejimin e hyrje daljeve në Rrugë, sensorët e trafikut dhe elementet e tjera matëse, sistemin elektronik për mbledhjen e Tarifave dhe të monitorimit të trafikut. Më tej shtohet se fatura do të paguget në lekë, euro apo në monedhë tjetër për të cilën do të bëhet dakordësia me shkrim mes palëve.
Sa i përket pagesës së koncesionarit parashikohet që në rast se në tetë vitet e para do të ketë rënie të të ardhurave atëherë Autoriteti Kontraktor do të aplikojë garanci trafiku. Pra duke kompensuar subjektin ndërtues për të ardhurat që kishte parashikuar për çdo vit.
Marrë nga Gazeta Panorama